Kërkesa për Republikën e Kosovës në kontekst të marrëdhënieve ndërkombëtare 1981-1984

Përmbledhje e studimit të prezentuar në Simpoziumin shkencor: “Lëvizja Popullore e Kosovës në vitet 1982-1984 dhe heronjtë Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri e Zija Shemsiu”, organizuar nga Shoqëria „Lëvizja“, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Instituti Albanologjik.

Studimi i një teme të këtillë duhet shtruar mbi premisa të caktuara të cilat s’do mend se në periudhën për të cilën po flasim, pra 1981-1984, kanë qenë përcaktuese të vendimeve dhe bëmave të veprimtarëve, opinionit të përgjithshëm dhe rrjedhojës së proceseve. Ky studim është punuar në tri nivele të cilat do të përpiqem t’i sjell para jush:

Niveli i parë i analizës ka të bëjë me shtjellimin e karakteristikave të mjedisit ndërkombëtar e rajonal në fillim vitet e tetëdhjeta. Pra, në ç’gjendje ndodhej bota dhe rajoni kur shqiptarët në Kosovë kërkonin republikën e tyre të barabartë me republikat e tjera?

Veçoria më e theksuar e mjedisit ndërkombëtar të fillim viteve të tetëdhjeta qenë marrëdhëniet e tendosura mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik sidomos pas ndërhyrjes ushtarake sovjetike në Afganistan në fundvitin e 1979, që në literaturën e marrëdhënieve ndërkombëtare njihet edhe si “Lufta e ftohtë e dytë” (Diggins; Cox).

Si rrjedhojë, Shtetet e Bashkuara vendosin të mos vijojnë me shqyrtimet në Kongres lidhur me ratifikimin e Marrëveshjes SALT II të nënshkruar në qershor të 1979, duke ashpërsuar kështu qëndrimin ndaj Bashkimit Sovjetik edhe me ndihmën e aleatëve të tjerë perëndimorë. Në këtë periudhë gravitacioni i zhvillimeve ndërkombëtare ishte përqendruar kryesisht në dy rajone: në Lindjen e Mesme, konkretisht në Gjirin Persik dhe në Evropën Qendrore, gjegjësisht në Poloni dhe vendet përreth, për shkak të përkeqësimit të situatës së saj të brendshme dhe kërcënimit që Bashkimi Sovjetik përbënte për të.

Rajoni i Ballkanit në këtë periudhë ishte i dominuar nga një ekuilibër trekëndor i njohur si formula 2+2+2. Dy shtete Turqia dhe Greqia ishin në Paktin e Atlantikut Verior, Bullgaria dhe Rumania në Bllokun e Lindjes, ndërkaq Shqipëria dhe Jugosllavia ishin dy vende jashtë këtyre dy pakteve antagoniste.

Analiza e mjedisit ndërkombëtar e rajonal në këtë studim na ndihmon të sjellim përfundimin se duke marrë për bazë konfiguracionin gjeopolitik të vendosur mbi parimin e ekuilibrit të forcave qoftë në nivelin ndërkombëtar apo atë rajonal, kërkesa për Republikën e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë ishte një referencë më e qëndrueshme krahasuar me të gjitha alternativat e tjera.

Niveli i dytë i analizës ka të bëjë me studimin e imazhit të Jugosllavisë në arenën ndërkombëtare dhe gjendjes së brendshme reale e cila doli në pah pas vdekjes së Titos. Studimet e fundit, këtu e kam fjalën për ato të huajat, mbi Jugosllavinë si shtet po bëhen gjithnjë e më objektive dhe më të fokusuara tek studimi i regjimit jugosllav si të tillë duke u ikur paradigmave konvencionale të luftës, nacionalizmit, çështjeve sociologjike e kështu me radhë. Në një studim të botuar rishtas, studiuesi italian Costamagna e quan regjimin e Titos një regjim autoritar dhe joliberal. Duke vazhduar, citoj “Në dukje i hapur dhe i butë krahasuar me bllokun lindor, ky regjim ishte megjithatë një formë diktature që kufizonte liritë individuale”. (Costamagna ‘Yugoslavia and special war in late socialism: new research perspectives’ 2017)

Vdekja e Titos kishte nxjerrë në pah para botës kohezionin e rrejshëm mes popujve të federatës, realitetet e shtypura me dhunë, mungesën e çështjeve jetike të shqiptarëve, atë të lirisë dhe barazisë me popujt e tjerë. Në kohën kur për të gjitha republikat mund të jetësohej e drejta e vetëvendosje deri në shkëputje, e sanksionuar me kushtetutën e 1974, Kosova mbetej edhe më tej njësi federative jo vetëm pa të drejtë vetëvendosjeje e shkëputjeje, por madje pjesë përbërëse e Serbisë.

Dhe së fundmi, ky studim trajton në veçanti kërkesën Kosova Republikë në kontekstin e kohës, rrethanave dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, ku edhe vërtetohet teza bosht e këtij studimi se një kërkesë e tillë ishte një kërkesë e drejtë dhe në pajtueshmëri të plotë edhe me zhvillimet ndërkombëtare, edhe me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Aktin përfundimtar të konferencës së Helsinkit për pacenueshmërinë e kufijve shtetërorë, që është pjesë e shportës së parë. Këtë e thotë edhe vetë ambasadori britanik në Jugosllavi Bolland në një shkresë konfidenciale të vitit 1981, citoj: “Duke u nisur nga çdo kriter logjik, Kosova brenda kufijve të saj aktualë, duhet të ketë status të barabartë në Jugosllavi me republikat e Malit të Zi, Sllovenisë dhe Maqedonisë, meqenëse popullsia e saj është po aq e madhe dhe etnikisht homogjene sa ç’është secila prej tyre. Por udhëheqja jugosllave ka refuzuar me vendosmëri që t’i hapte rrugë një logjike të tillë për arsye të brendshme dhe të sigurisë”.

Demonstratat e vitit 1981, ku në mënyrë të veçantë u kërkua që Kosova që kishte statusin e krahinës autonome, t’i jepej statusi i Republikës brenda Federatës Jugosllave, patën një rezultat të madh në sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve që jetonin në ish-Jugosllavi në arenën ndërkombëtare. Jetësimi i “Kërkesës për Republikën e Kosovës në Kuadër të Jugosllavisë” e cila u elaborua edhe formalisht në Tezat rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës, do të shpiente te çlirimi i popullit shqiptar në Jugosllavi dhe ndërrimi i konceptit të deriatëhershëm për popullin shqiptar në Kosovë dhe atij në ish Jugosllavi nga “kombësi” në popull dhe komb, siç në të vërtetë ai ishte.

Është e rëndësishme në këtë kontekst kohor të theksohet se për drejtuesit e lëvizjeve të fshehta çlirimtare çështja e Kosovës nuk ishte çështje vetëm e popullit shqiptar në Kosovë. Ajo, siç edhe nënkuptohet nga tezat e frontit popullor për Republikën e Kosovës, ishte çështje e popullit shqiptar në Jugosllavi. Vizioni i tyre, pra ka qenë një vizion largpamës e njëkohësisht racional, i cili në të njëjtën kohë dëshmon se lëvizjet e fshehta çlirimtare nuk i kanë ikur kurrë qëllimit përfundimtar të zgjidhjes së çështjes shqiptare përmes bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm.

Përkundër shumë studiuesve të cilët mendojnë se “mendimi politik shqiptar i Lëvizjes ka qenë i influencuar nga ndarja e botës në blloqe, interpretimi është bërë në mënyrë të njëanshme apo se ai ka pasur ngarkesa të konsiderueshme ideologjike” (ukshin Hoti, ‘Filozofia e çështjes shqiptare’), vetë kërkesa Kosova Republikë dëshmon të kundërtën.

Ngarkesat ideologjike të cilat kanë shoqëruar emërtimet e grupeve, fjalorin dhe konceptet e përdorura tregojnë pjekuri dhe njohje të thellë të mjedisit ndërkombëtar, rajonal dhe rrethanave të kohës nga ana e drejtuesve të lëvizjeve klandestine me filozofi çlirimtare. Kjo mënyrë mendimi e veprimi ka mundësuar mbijetesën dhe suksesin e kësaj lëvizjeje në kuadër të një regjimi dyfish diktatorial kundrejt shqiptarëve.

Andaj edhe përfundimet nga trajtimi shkencor i kërkesës Kosova Republikë në kontekst të marrëdhënieve ndërkombëtare, vjen natyrshëm në formën e një silogjizme, se shtrimi i kërkesës për republikë me status të barabartë me republikat e tjera jugosllave, për kontekstin kohor dhe rrethanat politike të brendshme e ndërkombëtare, dëshmon pjekurinë politike dhe vizionare të lëvizjes së fshehtë çlirimtare e cila ka mbajtur llogari edhe për sigurinë dhe ruajtjen e ekuilibrit rajonal.

Një republikë e barabartë do të ishte një faktor stabiliteti e sigurie për tërë Ballkanin e trazuar të asaj kohe. Ndërkaq në të njëjtën kohë, një status republike siguronte të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje sikur edhe republikat e tjera.

Shkup, 25 janar 2018

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s

Create a free website or blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: