Gjakim për mbrothësinë e brezave që vijnë

Në ditën kur duhej të uronim që ky vit të vejë mbroth për shkollarët e mësuesit e tyre, na lidhen nyje në fyt që i zënë rrugë dhe frymës që lirisht të dalë e të hyjë në trupat tanë fizikë. Trupa të privuar nga të gjitha ndjesitë shpirtërore dhe aftësitë e përsiatjes e vetëgjykimit individual e kolektiv. E vetmja gjë që na lejohet është të mbijetojmë dhe të bëjmë kinse. Madje kjo e dyta na cytet me çdo kusht e në çdo mënyrë.

Në ditën kur sytë duhet t’i kemi te shkollat e brezat e rij, jemi bërë sy e veshë që të gjithë, me trup gjithandej, por me mendje jemi në Kosovë. Sa shumë na dhembin pjesët që akoma vazhdojnë të shqiten nga trupi i cunguar e i gjymtuar i Atdheut tonë. Sërish populli, ai i pagdhenduri, ajo masë e manipulueshme, e shfrytëzuar e e përthithur deri në pikën e fundit të gjakut, mbetet më i vetëdijshmi për plagomat tona të vërteta. Ai s’do të dëgjojë për programe e doktrina politike, kombëtare e ndërkombëtare, projekte të imponuara për gjëra të paqena e jetëshkurtra. Populli nuk harron. Ai do që Atdheu i tij të jetë i papjesëtueshëm. Ai do që te vëllai i tij, te fqiu, në shkollë, e në dasëm të shkojë pa pasaportë. Ai lutet që të vjelat nga puna e tij mos ia vjedhë e plaçkitë asnjëri. Vetëm këtë do populli dhe ai gjithnjë e di dhe e ka më së miri. Populli s’ka hile.

Në ditën kur si e tërë bota e qytetëruar duhet të përcjellim fëmijët në shkollë, ne përballemi me pabarazinë, atë të parën, thelbësoren, bibliken. Përkundër shumë jehonave se ne në Tetovë, Shkup, Gostivar, Kumanovë, Dibër, Strugë, Manastir e Ohër, ndajmë të njëjtat probleme e sfida me bashkëqytetarët e bashkështetasit tanë të imponuar, kjo është vetëm një rrenë klluçe e asgjë më shumë. Filloni nga dita e parë e shkollës, nga zanafilla. Aty fillon çdo kategorizim: në mjek e bujk, profesor e bari. Shkollat në të cilat mësojnë fëmijët e mjekëve e profesorëve janë ndërtuar nga shteti, sepse ata e dinë çdo të thotë shtet ligjor, të drejta të njeriut, të drejta të fëmijëve të garantuara me konventa ndërkombëtare, lojalitet ndaj shtetit, interes kombëtar (sic!). Neve s’na lanë kurrë të kemi një të tillë. Shkollat tona janë ndërtuara nga puna e bujqve e barijve, nga djersa jonë, nga njerëzit që lektisin një jetë për Atdheun e tyre. E megjithatë, shkollat tona s’janë të denja. Institucionet nuk mund të jenë prona private të lëna në mëshirën e vullnetin e mirë të popullit. Për të pasur një shkollim të denjë, ne sakrifikojmë gjithçka tonën dhe çojmë fëmijët të shkollohen te pushtuesit tanë të dikurshëm, neo-pushtuesit e sotëm të cilët ndërtojnë shkolla të denja për indoktrinimin e brezave tanë. Po ata që dje na e ndalonin të hapim shkollat në gjuhën tonë. Shkollat publike janë të vogla për ta zënë këtë racë pjellore që s’po e tkurr e zhbën asgjë që kur është ngjizur bota. Të tjera shkolla s’ndërtojnë dot. Paratë tona iu duhen për të na shtypur.

Në ditën kur duhet të zgjohemi, ne vazhdojmë të flemë e të bëjmë kinse dhe u urojmë mbrothësi atyre që po ua lëmë trashëgim mallkimin tonë – brezave që vijnë!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: