Tabloja gjeopolitike aktuale e Ballkanit (Balkans quo vadis iterum?)

 

Në vitin 1989, kur Fukujama botoi “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”, ai pothuajse qe shpallur profet, ndërkaq shumë shpejt miti i tij filloi të zbehet. Por, si duket jo të gjithë e kanë lexuar një paragraf të tij për të përfunduar se ai ka pasur të drejtë: “Në epokën pas-historike, do kujdesemi pakufi për muzeun e historisë njerëzore… Ndoshta kjo pamje e shekujve të bezdisë në fund të historisë do bëjnë që historia të fillojë sërish.”

Kriza në Ukrainë ka shpalosur edhe një herë ambiciet tradicionale të Rusisë për influencë në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit në veçanti. Kjo influencë është rritur në dekadën e fundit me prezencën e saj në rajon në sektorët ekonomikë, politikë, energjetikë, ushtarakë dhe të tjerë. Ndër gjërat më të rëndësishme për prezencën dhe pretendimet ruse në Ballkan duhet pasur parasysh: aspektet energjetike, marrëdhëniet bilaterale të Rusisë me vendet e Ballkanit, influenca kulturore historikisht prezente te popujt sllavo-jugorë e ortodoksë dhe roli i Rusisë si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit. Prezenca ruse në Ballkan është një antipod i Perëndimit në përgjithësi. Pas përplasjeve në Ukrainë duket sikur përplasja e radhës do të jetë në Ballkan. Këtë e paralajmëroi edhe Kerry kur tha se Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova gjenden në vijën e zjarrit. Rusia megjithëse ka një doktrinë tradicionale të cilës i qëndron besnike është një lojtare taktike e përkryer dhe siç shkruante The Economist, përderisa Perëndimi luan lojën Monopol (që s’është lojë e shumës zero e me shumë lojtarë), Rusia luan shah (lojë e shumës zero dhe mes dy lojtarëve).

***

1. Ardhja në pushtet e një partie të ekstremit të majtë në Greqi me frymë proruse, e cila kundërshton pagesën e borxheve ndaj EU-së, kërkon rinegocimin e marrëveshjes për projektin e gazsjellësit TAP, ndjek vijën pro-ruse në luftën ruso-ukrainase, ngjall rrezikun nga rritja e nacionalizmit grek dhe mban vijën e kuqe në raport me konfliktin e ngrirë me Maqedoninë për emrin e kësaj të fundit. E majta dhe e djathta, që nga koha e Revolucionit Francez kanë qenë dy konceptet themelore në universin politik. Ato sot, në marrëdhëniet ndërkombëtare po humbin kuptimin e tyre. Ajo që befason është që qeveria greke e përbërë nga e majta ekstreme dhe e djathta ekstreme janë radhitur në anën ruse duke e konsideruar atë një fortifikatë kundër hegjemonisë globale amerikane. Koncepti gjeopolitik i Euroazisë si një nga projektet më ambicioze të politikës së jashtme ruse i materializuar si Unioni euro-aziatik në janar të vitit 2015 nga Putini është ideuar nga ideologu i ekspansionizmit rus me qëndrime të së djathtës ekstreme, apo eminenca gri – Alexandër Dugin. Së fundmi kanë dalë në dritë lidhjet e tij me Syriza-në greke dhe qëndrimet e tyre të njëjta kundërshtuese ndaj liberalizmit e demokracisë. Duke qenë se Greqia është edhe anëtare e Bashkimit Evropian ajo ka përçarë solidaritetin edhe ashtu të brishtë mes anëtarëve të tij kundër agresionit rus në Ukrainë.

2. Aleanca e re strategjike e dy perandorive asaj ruse dhe turke kishte sjellë deri një marrëveshje e pazakontë mes dy monarkëve absolutë: Putinit e Erdoganit për gazin. Rritja në dukje e ambicies ruse për “përshtrirje perandorake” drejt vendeve të cilat tradicionalisht i ka synuar dhe braktisja e projektit të gazsjellësit rus Rrjedha jugore kishin sjellë deri te një projekt i ri i bashkëpunimit ruso-turk – Rrjedha turke. “Gazi natyror është çështje e sigurisë nacionale për Turqinë. Është tepër e rëndësishme për projektet e saj ambicioze ekonomiko-politike, dhe në qoftë se Turqia dëshiron të bëhet nyje rajonale, Turqia duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikat energjetike dhe kurrë të mos e trajtojë çështjen e gazit të ndarë nga gjeopolitika”, kishte deklaruar Drejtori Ekzekutiv i Klubit Energjetik të Bosforit për projektin e Rrjedhës turke në Konferencën Evropiane të Gazit. Duke u bazuar edhe në deklaratën e ndihmës-sekretarit amerikan për energjetikë se “Rrjedha jugore” nuk ka qenë kurrë vetëm një projekt ekonomik dhe sigurisht që edhe projekti alternativ s’mund të jetë vetëm i tillë, vijmë në përfundim se projektet e përbashkëta energjetike ruso-turke, por edhe të tjerat s’do mend se janë rreshtime dhe rirreshtime të natyrës gjeopolitike.

3. Në takimin me kryeministrin hungarez Viktor Orban, Putini kishte paralajmëruar se gazsjellësi “Rrjedha turke” mund që, nga Rusia përmes Detit të Zi, Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë të arrijë deri në Hungari, e ndoshta edhe deri në Austri. Me këtë plan Maqedonia parashihet në shtegun kryesor të gazsjellësit të ri dhe me këtë fiton edhe mjete të konsiderueshme për transportin e gazit përmes territorit të saj. Poashtu ministrat e punëve të jashtme të Turqisë, Greqisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Hungarisë u takuan në Prill 2015 në Budapest për të diskutuar pjesëmarrjen e tyre në projektin e Rrjedhës Turke. Megjithëse harta e detajuar me shtigjet e gazsjellësve akoma s’është bërë publike, kalimi nga Maqedonia në Serbi i gazit rus, kalon mu pranë pikës më nevralgjike të rajonit të Ballkanit perëndimor: trekëndëshit të kufirit Maqedoni-Kosovë-Serbi, territore këto të banuara vetëm me shqiptarë.

Presidenti maqedonas Ivanov ka marrë pjesë në paradën ushtarake në Moskë për ngadhënjimin ndaj fashizmit, përderisa këtë e kanë refuzuar liderë të mëdhenj botërorë duke kundërshtuar ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë. Poashtu, Rusia së fundmi ka reaguar në tri raste sa i përket situatës politike dhe asaj të sigurisë në Maqedoni. Herën e parë lidhur me pretendimet e qeverisë maqedonase për rastin e grushtetit nga opozita, duke shprehur shqetësim për një skenar ukrainas në Maqedoni. Në reagim Moska nënvizonte  nevojën për hetim thelbësor të përpjekjes për grusht-shtet, duke tërhequr vërejtjen edhe për rrezikun e ashpërsimit të tensioneve ndëretnike në vend si pasojë e krizës politike. Herën e dytë reagimi kishte ardhur lidhur me sulmin e stacionit ushtarak në Gushincë të Likovës, duke implikuar edhe shtete të tjera sovrane të rajonit: Kosovën dhe Shqipëri. Reagimi i Moskës zyrtare kishte për qëllim të vejë në pah tensionet etnike në këtë pjesë të Ballkanit, dhe shtetin e Kosovës ta nxjerrë si shtet të paaftë, jofunksional dhe prodhues krizash, me pretendimet se “Në këtë situatë ndikim primar ka mungesa serioze e sundimit të ligjit dhe sigurisë në Kosovë, që është pasojë e problemit të pazgjidhur të Kosovës si tërësi.” Në reagimin e dytë të tyre ata kishin përmendur edhe parullat për, siç pretendojnë ata “Shqipëri e Madhe”. Por, Shqipëria si vend i NATO-s dhe i vendosur për agjendën e saj Euro-Atlantike ka reaguar zyrtarisht përmes Ambasadorit rus në Tiranë, duke i konsideruar të papranueshme deklaratat ruse ndaj këtyre dy shteteve, dhe një shantazh që nuk i shërben klimës konstruktive të rajonit. Së treti, Rusia ka reaguar lidhur me situatën e re politike dhe të sigurisë që u krijua së fundmi në Maqedoni pas sulmit në Kumanovë. Në këtë reagim ajo kishte akuzuar Perëndimin se përmes lëvizjeve opozitare dhe OJQ-ve të ndryshme po inskenojnë “revolucionet me ngjyrë” të cilat, gjithnjë sipas tyre do të mund të eskalojnë në konflikte ndëretnike në Maqedoni dhe zonat fqinje. Sulmi i qeverisë maqedonase me mjete policore dhe ushtarake i një lagjjeje të banuar me shqiptarë dhe shkatërrimi i paprecedent i pronave civile, duke përdorur strategjinë ushtarake të “tokës së djegur” (ang. Scorched earth), vërtetoi edhe një herë brishtësinë dhe papërgjegjshmërinë e këtij shteti dhe mendësinë e tyre tradicionale albanofobe.

4. Njëra ndër marrëdhëniet më interesante është marrëdhënia ruso-serbe dhe kjo marrëdhënie është intensifikuar gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Çështja e Kosovës përdoret nga Rusia për të rrëfyer në vendin e saj nënçmimin nga Perëndimi dhe rolin e saj kyç në strukturat ndërkombëtare të sigurisë kolektive, të cilat de facto s’përbëjnë ndonjë faktor në marrëdhëniet ndërkombëtare të shekullit XXI. Solidarizimi me viktimat e trilluara serbe dhe nevoja për mbrojtjen e tyre është edhe një faktor tjetër që i ndihmon marrëdhënies vëlla i vogël-i madh. Por çdo aleancë e tyre bëhet në kurriz të shqiptarëve. Në prill të 2011, Lavrovi erdhi në Serbi për të konfirmuar angazhimin e Rusisë për çështjen e Kosovës, sidomos për për raportin e Dik Martit i cili me ndihmën e argumenteve ruse kishte raportuar se në Kosovë dhe Shqipëri ka funksionuar rrjeti i trafikuesve të organeve të serbëve të zënë robër. Për të gjitha këto akuzohen në veçanti krerë të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke njollosur kështu luftën e UÇK-së për çlirim kombëtar me gjëra të cilat i përgatitën vetë në kuzhinat e tyre të rrenave dhe propagandave. Non sensi aktual i themelimit të një gjykate speciale brenda territorit të një shteti sovran bazuar në pretendimet e këtij anëtari të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është rrjedhojë e kësaj mbështetjeje ruse për trillimet serbe. Në sulmin e fundit të forcave maqedonase në Kumanovë, Rusia kishte kërkuar angazhimin e OSBE-së në radhë të parë, me kryesinë e së cilës momentalisht udhëheq Serbia. Ndërkaq kjo e fundit menjëherë ka dislokuar forcat e saj të xhandarmërisë në Luginë të Preshevës duke bllokuar fshatrat përreth dhe duke shpallur gjendje gatishmërie në rast të eskalimit të konfliktit, siç ata shprehen, me natyrë gjeostrategjike e të inskenuar nga Perëndimi.

5. Sot, duke pasur parasysh këtë tablo gjeopolitike ballkanike, shqiptarët e rajonit përbëjnë faktor kyç për Ballkanin. Roli i shqiptarëve mbetet shumë relevant, ndërkaq rreshtimi dhe vizioni i tyre i përcaktuar përkrah NATO-s dhe Bashkimit Evropian sjell detyra dhe angazhime të reja në një rajon që lëkundet nga kërcënime tradicionale të ringjallura të cilat sjellin sfida të reja për sigurinë e rajonit. Unifikimi i tyre është një condicio sine qua non. Projektet e përbashkëta ndërshqiptare në sferën infrastrukturore, ekonomike, edukativo-arsimore, politike, kulturore etj. duhet bërë në frymën e parimeve të integrimeve evropiane dhe duhet intensifikuar së pari në mes dy shteteve sovrane: Shqipërisë e Kosovës, për të vazhduar më pas edhe tek pjesët e tjera të banuara me shqiptarë si Maqedonia Perëndimore, Lugina e Preshevës e Mali i Zi. Piemonti i këtyre projekteve në frymën e vlerave perëndimore dhe aspiratave Euro-Atlantike duhet të jetë Tirana zyrtare, ndërkaq të gjithë aktorët kyçë vendimmarrës dhe të tjerë duhet të angazhohen drejt këtij vizioni dhe misioni. Përndryshe të ndarë siç jemi, rrezikojmë të mbetemi në linjën e zjarrit e të pambrojtur. Rreziku i rreshtimit “të padukshëm” të aleancave të shteteve të Ballkanit me Perëndimin ose me Rusinë, rrezikon të implikojë edhe rreshtimin e pavullnetshëm të shqiptarëve (në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi) që jetojnë brenda shteteve të Ballkanit me qëndrime dhe interesa pro-ruse.

Botuar në gazetën Dielli në SHBA, http://gazetadielli.com/tabloja-gjeopolitike-aktuale-e-ballkanit/

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: