Çështja kombëtare shqiptare – pjesa e fundit e mozaikut të pazgjidhur ballkanik?

 

konference

Historiku i çështjes kombëtare shqiptare

Formësimi i idesë dhe i vetëdijes kombëtare shqiptare fillon në gjysmën e dytë të shekullit XIX nga një lëvizje intelektuale e njohur si Rilindja Kombëtare Shqiptare. Kjo lëvizje është katalizatori kyç i proceseve shumë të rëndësishme të organizimit të shqiptarëve. Rilindja Kombëtare Shqiptare bëri organizimin intelektual, politik e ushtarak mbarëkombëtar shqiptar me synim çlirimin, bashkimin dhe krijmin e shtetit kombëtar shqiptar. Shteti shqiptar u krijua në vitin 1912 e me këtë edhe shqiptarizma politike, siç e emërton për herë të parë publicisti dhe idealisti shqiptar, themeluesi i shkollës së neo-shqiptarizmës, Branko Merxhani.

Në përmasa të tejkombëtares, gjeneza e çështjes shqiptare paraqitet në Kongresin e Berlinit në vitin 1878 kur Bismarku mohon ekzistencën e një kombi shqiptar në Ballkan, ndonëse Ambasadori i Britanisë së Madhe në Stamboll, Goschen, në korrik të 1880 shkruan për domosdoshmërinë e afirmimit të një kombi shqiptar dhe krijimin e një Shqipërie të fortë e të bashkuar.

Pas luftërave ballkanike, Konferenca e Ambasadorëve në Londër qe një përpjekje për përjetësimin e një gjendjeje absurde, një mozaiku të dhunshëm ballkanik, i paraqitur nga fqinjët e Shqipërisë si klishe për popuj të pabarabartë. Ishte ky një mozaik i çoroditur, sajuar keqas nga propagandat dhe doktrinat përshtrirëse zyrtare të vendeve ballkanike dhe lejuar shkujdesshëm nga Fuqitë e Mëdha të kohës.

Gjatë farkëtimit të rendit ndërkombëtar të Versajës, parimi i vetëvendosjes së popujve dhe diplomacia publike përbënin pjesën më thelbësore të Katërmbëdhjetë pikave të Presidenit amerikan Uillson. Ai proklamonte që zgjidhja e të ashtuquajturës Çështje e Adriatikut të bëhej në linja të qarta të kombësisë. Përgjatë tërë shekullit XX, mozaiku s’rreshte së ndërtuari keqas. Duke vijuar kështu me radhë nëpër kongrese, konferenca e forume ndërkombëtare, epoka njëshekullore e kombit shqiptar mund të cilësohet vetëm si epokë e mbijetesës, dhe sa herë që shqiptarët kërkonin rishikimin e korrigjimin e kësaj tablloje, ata cilësoheshin si nacionalistë agresivë.

Nacionalizmi sui generis shqiptar

Nacionalizmi nuk është një ide arkaike dhe anakronike siç cilësohet shpesh. Ajo është ideja që i mobilizon dhe mbron popujt. Ky nacionalizëm ka ndikuar drejtpërsëdrejti në zgjimin kombëtar të popujve, çlirimin e tyre nga sundimet, çfarëdolloj qofshin, dhe i ka shpier në stadet më të larta të zhvillimit të tyre. Ai ka qenë diga lëvizëse e të gjithë popujve evropianë për të krijuar kombet e tyre dhe si i tillë s’do mend se është i natyrshëm dhe në vijë me çdo tendencë historike.

Nacionalizmi shqiptar përbën një nacionalizëm sui generis, i cili përgjatë kohës ka pësuar transformime. I krijuar si nacionalizëm intelektual e kulturor përmes një lëvizjeje mbarëkombëtare, sot nacionalizmi shqiptar është tejet i moderuar. Fatkeqësisht ai s’përfaqëson asgjë më shumë se një nacionalizëm të herëpashershëm popullor e folklorik, për dallim nga të gjithë fqinjët, të cilët tradicionalisht dhe vazhdimisht paraqesin nacionalizëm që mbështetet në doktrina dhe politika zyrtare shtetërore.

Çfarë përfaqëson sot çështja kombëtare shqiptare

Në Evropën e vlerave, popujt do të duhej të zhvilloheshin natyrshëm, pa rregulla e kufizime për popuj të caktuar. Gjeniu i letrave shqipe, Kadare, shkruan “duke pritur, në qoftë se është e domosdoshme kohë më të qeta e më të emancipuara, për aplikimin e parimit të vetëvendosjes së popujve, Evropa nuk duhet gjithsesi, në mënyrë arrogante të përpiqet ta varrosë këtë ide shpëtuese.” Përndryshe populli shqiptar do të vazhdonte të ishte, siç edhe u shpall praktikisht nga akademiku Rexhep Qosja, “Popull i ndaluar”.

Çështja kombëtare shqiptare është çështje reale dhe kjo nuk duhet mospërfillur. Ajo është një çështje e rëndësishme për shkak të numrit të shqiptarëve, autoktonisë, gjuhës, gjeografisë, historisë dhe prejardhjes së tyre unike. Kjo çështje po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për shkak të faktorizimit të shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik. Ata tashmë kanë dy shtete të tyre. Shqipëria, deri dje pjesë e Evropës gjeografike, sot është pjesë vitale e lidhjes transatlantike mes Evropës e Amerikës dhe po rikthehet ngadalë e sigurt në Evropën politike. Kosova, megjithëse me një sovranitet pothuajse të cunguar, është po ashtu faktor i rëndësishëm gjeopolitik.

Çështja kombëtare shqiptare përbën vetë një nënmozaik në mozaikun e pazgjidhur ballkanik. Çështja e shqiptarëve të Maqedonisë, atyre të Luginës së Preshevës, Malit të Zi dhe çështja çame që të gjitha janë pjesë të këtij nënmozaiku, që të gjitha janë çështje reale, të drejta dhe të pazgjidhura. Ato nuk janë produkt i nacionalizmit shqiptar, por pasojë e pakuptimësisë së politikave zyrtare dhe nacionalizmave institucionale përshtrirëse të fqinjëve, legjitimuar nga fuqitë evropiane të shekullit të kaluar. Si e tillë, do të duhej të brejë dhe ndërgjegjen evropiane.

Kërkesat e shqiptarëve s’kanë qenë kurrë jashtë realitetit dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare. Ato kanë qenë të natyrshme, të arsyeshme e të drejta. Të cilësuar më shumë se cilido popull ballkanik si nacionalistë, shqiptarët janë komb që vuajnë nga kozmopolitizmi. Politika zyrtare shqiptare gjithandej është panevojshëm dhe jashtëkohshëm (në kuptimin futurist) e moderuar.

Njëra nga figurat më të shquara shqiptare, Arbën Xhaferi, thoshte: “Ka kultura që jetojnë në një kohë dhe ka kultura që jetojnë në të ardhmen”.

Shqiptarët janë komb që jetojnë në të ardhmen!

 

* Kumtesë e paraqitur në Konferencën shkencore ndërkombëtare “Konferenca e Ambasadorëve në Londër një shekull më vonë (1913-2013). Si ka ndryshuar gjeopolitika ballkanike?”, organizuar nga Instituti “Max van der Stoel” i Universitetit të Evropës Juglindore, më 21 nëntor 2013, në Shkup.

** Shkrimi u botua në të përditshen “Koha” më 30 nëntor 2013.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Create a free website or blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: