Eurokracia, nacionalizmi dhe Ballkani Perëndimor

Sot, janë bërë trend deklaratat e politikanëve dhe studiuesve, sidomos nga Ballkani Perëndimor, se rruga e vetme drejt stabilitetit dhe shteteve ku sundon ligji është integrimi në Bashkimin Evropian, proces ky i cili përcillet me përmbushjen e kritereve të caktuara dhe zbatimin e reformave në sferën ekonomike, politike, juridike dhe atë administrative nga shtetet aspirante. Ky refren kaq i shpeshtë ka filluar të bëhet madje neveritës. Jemi dëshmitarë se kriteret janë shumë larg për t’u përmbushur, zbatimi i reformave po mbetet vetëm në letër, ndërkaq Bashkimi Evropian më shumë po e mbyll rrugën se sa po i ndihmon këto shtete në rrugën drejt tij. Kërkesat dhe kushtet nga ana e Brukselit po vijnë gjithnjë e duke u shtuar, përderisa mekanizmat vendimmarrëse të kësaj organizate po krijojnë terren për keqpërdorim nga ana e shteteve anëtare. Përveç procesit të reformave që po ngec, në Ballkanin Perëndimor pengesa paraqesin çështjet e pazgjidhura mes shteteve të këtij rajoni. Mungesa e kompromisit në Bosnjë e Hercegovinë, mos-demokratizimi dhe mos-transformimi i kulturës politike të Serbisë për të qenë në gjendje të pranojë realitetin e krijuar – shtetin e pavarur të Kosovës dhe moszgjidhja e kontestit mes ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Greqisë, po mbajnë peng integrimet euro-atlantike për një periudhë të pacaktuar.

Ballkani përfaqëson një rajon mjaft heterogjen në aspektin kombëtar dhe fetar. Si i këtillë ai gjithmonë ka qenë një vatër armiqësish tradicionale dhe tendencash për përfitime territoriale ndaj fqinjëve. Emërtimi historik i këtij gadishulli me rëndësi strategjike për kontinentin Evropian – “fuçi baroti” – filloi të zbehet pas shpërbërjes së tërësishme të krijesës artificiale siç ishte ish-Jugosllavia. Procesi i tranzicionit të shteteve ballkanike qe një proces mjaft kompleks, që kalonte në më shumë faza, të cilat shpesh madje mbivendoseshin me njëra tjetrën. Në majën e piramidës së këtij procesi të transformimit ndodhet procesi i integrimeve në strukturat euro-atlantike.

Mungesa e një afati të caktuar dhe një strategjie të detajuar nga ana e kësaj organizate supranacionale, po krijon dalëngadalë, me vetëdije, një vrimë të zezë në mes të Evropës. Ndërkaq shtetet s’po kapin dot karrotën, atyre po ju jepen vetëm shkopinj. Varfëria, shkalla e madhe e korrupsionit, mungesa e investimeve, mungesa e shtetit ligjor, respektimi i pamjaftueshëm i lirive dhe të drejtave të njeriut, mungesa e sigurisë dhe stabilitetit, jo vetëm që po zvarrisin demokratizimin dhe progresin e këtyre shteteve, por përbëjnë kërcënim edhe për stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit në tërësi. Këto janë sfida me të cilat shtetet duhet të përballen sa më parë, pavarësisht afateve dhe kërkesave të Bashkimit Evropian. Përmbushja e kritereve të Kopenhagës dhe Madridit nuk duhet të shërbejë si cak i shteteve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Këto kritere duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për ndërtimin e shteteve demokratike ku sundon ligji dhe të cilat prodhojnë stabilitet për vete dhe për rajonin në përgjithësi. Atëbotë integrimi në këto struktura do të ndodhë vetvetiu, meqenëse nuk do të kenë nevojë shtetet e Ballkanit Perëndimor për Bashkimin Evropian, por Bashkimi Evropian s’do të mund të funksionojë pa to.

Tendenca e shteteve që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian për t’u bërë me çdo kusht pjesë e kësaj strukture vazhdon të mbetet vetëm një orvatje, përderisa ky bashkim shtetesh evropiane, që lindi si rezultat i ripajtimit mes dy shteteve aq armiqësore – Francës dhe Gjermanisë, po përballet me sfida nga më të ndryshmet. Kriza financiare ka lëkundur tejmase BE-në duke prekur madje edhe ekonomitë e shteteve të fuqishme të saj. Politikat nacionaliste nuk është se u zhdukën nga doktrinat e shteteve evropiane të cilat dikur përfaqësonin fuqi të mëdha e perandori. Me të drejtë Kissingeri në vitet ’70 pyeste: “Kur dua të flas me Evropën, kujt duhet t’i lajmërohem?”. Megjithëse Bashkimi Evropian përfaqëson një organizim rajonal sui generis që ruajti paqen në kontinent për më shumë se gjysmë shekulli, ai akoma mbetet mjaft i brishtë. Përveç një bashkimi ekonomik, ai nuk përfaqëson një unifikim të mirëfilltë politikash duke përfshirë sidomos politikat e jashtme. Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro akoma s’kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur përderisa të gjitha shtetet e tjera anëtare e kanë bërë këtë, Britania e Madhe s’e ka nënshkruar kurrë Marrëveshjen e Shengenit dhe s’e ka pranuar Euron si monedhë të sajën. Pra, kombet evropiane bashkëpunojnë vetëm në ato sfera ku përfitimi është reciprok dhe ku nuk rrezikohet qenia e tyre nacionale. Në sferat e rëndësishme sidomos ato të sigurisë dhe politikës së jashtme, shtetet veprojnë si subjekte të pavarura dhe zbatojnë politikat e tyre nacionale tradicionale, gjë e cila e zbeh tejmase rolin e BE-së si tërësi. Në këtë rast BE i ngjan një lloj administrate kadareane si ajo e “Pallatit të ëndrrave”, e përqendruar në një qendër të vetëm – Bruksel – ku punojnë një numër i pakufishëm eurokratësh. Kjo eurokraci qëllim të vetëm ka realizimin e ëndrrës së pamundur – demokracisë panevropiane në një ambient aq heterogjen siç është kontinenti evropian.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Create a free website or blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: