Maqedonia mes integrimit në strukturat euro-atlantike dhe gjeopolitikës ballkanike

Abstrakt

Ky punim shkencor synon të paraqesë një analizë lidhur me shkaqet e mospranimit të Maqedonisë në organizatën politiko-ushtarake-NATO në Samitin e mbajtur vitin e kaluar në Bukuresht, si edhe pasojat që vijnë si rrjedhojë e këtij mospranimi. Meqenëse NATO kishte për qëllim ta zgjerojë shtrirjen e saj me tre shtete të reja në Ballkan gjë që do të ndikonte në stabilizimin e rajonit, mospranimi i Republikës së Maqedonisë në këtë organizatë në prill të vitit 2008, ka zgjuar shumë kundërshtime dhe ka shtuar mundësinë për jostabilitet rajonal. Punimi në fjalë do të shtjellohet përmes dy shtyllave: shkaqet dhe pasojat për mospranim. Në grupin e shkaqeve do të analizohen detajisht faktorët e brendshëm si politika jo e qartë e Maqedonisë dhe sfidat e saj të brendshme, si edhe ata të jashtëm – vetoja greke si pasojë e kontestit me emrin; ndërsa si pasojë e mundshme do të shtjellohet impakti negativ për Maqedoninë si një shtet tejet i brishtë dhe me tranzicion të tejzgjatur, ashtu edhe për tërë rajonin ballkanik i shquar me një jostabilitet të vazhdueshëm. Përfundimet e sjellura nga ky studim janë: (1) nevoja urgjente e profilizimit të politikës së brendshme të Maqedonisë në të mirë të integrimeve euro-atlantike, (2) praktika negative e shteteve ballkanike për të penguar anëtarësimin e shteteve të reja në strukturat euro-atlantike, sjell nevojën e reformimit të mekanizmit vendimmarrës të këtyre organizatave që kanë synim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal.

NATO dhe  gjeopolitika ballkanike 

Sigurimi kolektiv është njëri nga parimet më të rëndësishme që u promovua pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Katërmbëdhjetë pikat[1] e presidentit amerikan Woodrow Willson parashihnin “formimin e një organizate të kombeve nën marrëveshje specifike me qëllim të dhënies së garancive të ndërsjella për pavarësi politike dhe integritet territorial, si shteteve të mëdha ashtu edhe atyre të vogla”.[2] Parimi i sigurisë kolektive u skicua gjatë ndërtimit të sistemit të Versajës, pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Në traktatin që u nënshkrua në vitin 1919, për herë të parë u krijua një organizatë kolektive që do ruante paqen dhe sigurinë në botë me emrin Lidhja e Kombeve e cila ishte pararendëse e OKB-së. Qëllimet e Kombeve të Bashkuara janë: ruajtja e  paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, zhvillimi i marrëdhënieve miqësore mes kombeve dhe arritja e bashkëpunimit në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare të natyrës ekonomike, sociale, kulturore ose humanitare.[3] Megjithëse pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ishin krijuar mekanizmat multilateralë të cilët do të garantonin paqen dhe sigurinë kolektive, rrethanat politike të cilat determinuan sistemin ndërkombëtar, diktuan krijimin e një organizate ushtarake e cila do t’i shërbente kryesisht kontinentit evropian për t’u mbrojtur nga Bashkimi Sovjetik i cili në atë kohë përbënte kërcënim për demokracitë perëndimore.

Traktati i Brukselit në vitin 1948 vuri bazat e një sistemi evropian të sigurisë, ndërsa akti themelues i Organizatës së Atlantikut Verior ishte Traktati i Uashingtonit[4], ku përveç shteteve evropiane, në këtë organizatë u bënë bashkëthemeluese edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja.

NATO me kalimin e kohës, ka pësuar tranformime të mëdha, ndërsa siç shprehen studjuesit Jackson dhe Dutkiewicz “ajo ka ecur drejt një procesi të tërë të metamorfozës”.[5] NATO u krijua në periudhën e parë të Luftës së Ftohtë, ndërsa në përputhje me ndryshimin e rrethanave dhe sistemit ndërkombëtar në tërësi, ajo u konsolidua si organizatë me karakter politiko-ushtarak pas shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1999 anëtarët e NATO-s kishin miratuar të ashtuquajturin Koncepti strategjik[6], i cili ishte një version i përpunuar dhe i plotësuar i strategjisë së vitit 1991. Me shfaqjen e një Evrope gjithnjë e më të integruar dhe me zhvillimin e strukturës së sigurisë euro-atlantike, lindin edhe sfidat e reja të kësaj organizate.

Qëllimi themelor i kësaj organizate –  “ruajtja e lirisë dhe sigurisë”[7] në zonën euro-atlantike dhe parimi udhëheqës i saj – “angazhimi i përbashkët dhe bashkëpunimi i ndërsjellë mes shteteve sovrane në mbështetje të pandashmërisë së sigurisë”[8], kushtëzojnë krijimin e politikave dhe strategjive të reja brenda fushëveprimit të kësaj organizate. Andaj edhe Koncepti strategjik që u miratua në vitin 1999 përveç aktiviteteve për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, atyre për partneritet bashkëpunim dhe dialog, parashikoi edhe politikën e zgjerimit të organizatës. “Politika e dyerve të hapura” e NATO-s u parapa që në Traktatin e Uashingtonit, në nenin 10 [9] të tij. Kjo politikë promovon mundësinë e aderimit të shteteve të tjera në këtë organizatë, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit dhe bashkëpunimit, bashkimit të shteteve për mbrojtje kolektive, ndërtimit të një Evrope të bashkuar dhe me vlera të përbashkëta demokratike.

Ballkani gjithmonë ka qenë një zonë shumë e rëndësishme gjeostrategjike, e karakterizuar me një diversitet të theksuar të orientimit gjeopolitik. Kjo gjeopolitikë ka çuar në fragmentarizimin e këtij gadishulli të rëndësishëm për Evropën. Pozicioni i shteteve u determinua nga dy blloqet e kundërta. Prandaj, struktura gjeopolitike e këtij rajoni gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë kushtëzohet nga formula 2+2+2”.[10] Greqia e Turqia ishin antarësuar në aleancën veri-atlantike që në vitin 1952, Rumania e Bullgaria bënin pjesë në Paktin e Varshavës, ndërsa Jugosllavia e Shqipëria në atë kohë mbetën jashtë dy blloqeve.

Me mbarimin e Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjen e ish Bashkimit Sovjetik, dolën shumë shtete të cilat ardhmërinë e tyre më të sigurtë e shihnin në integrimin në strukturën euro-atlantike. Kështu, pothuajse të gjitha shtetet ballkanike shprehën interesat e tyre strategjike për anëtarësim në UE dhe NATO, gjë e cila sipas studiuesit Martin Kahl, u shndërrua në “parim kryesor të politikave të tyre të jashtme dhe të sigurisë”.[11] Çështja e anëtarësimit në këto organizata, është parësore pothuajse për çdo shtet që ka dalë nga sistemi socialist, të cilët ndodhen në fazën e tranzicionit. Këto prioritete të shteteve në tranzicion, u përputhën me qëllimet e kësaj organizate për të zgjeruar zonën e saj mbrojtëse të sigurisë, gjegjësisht “për të shtuar sigurinë dhe stabilitetin në tërë zonën euro-atlantike”[12]. Andaj dhe aleanca pati përpiluar disa plane veprimi për të arritur këtë qëllim të saj dhe për të lehtësuar procesin integrues të shteteve aspiruese. Në vitin 1994, në Samitin e Brukselit, NATO pati filluar me planin e veprimit për partneritet individual të emërtuar Partneriteti për paqe, ndërsa më vonë në samitin e Uashingtonit (1999), edhe me Planin e veprimit për anëtarësim. Programi i “Partneritetit për Paqe” kishte për qëllim vendosjen e marrëdhënieve të reja të sigurisë si mekanizëm i largimit të kërcënimeve të paqes në Evropë, duke i ndërtuar urat lidhëse në mes NATO-s dhe vendeve të partneritetit për paqe. Përmes këtij programi, vendeve post-socialiste, e sidomos shteteve të Evropës Qëndrore dhe atyre ballkanike, iu bë e qartë se bashkëpunimi me Paktin Veriatlantik është i domosdoshëm për të tejkaluar vështirësitë e reformave të brendshme. Ndarja e vlerave të përbashkëta në mes Aleancës Veriatlantike dhe shteteve aspirante ka qenë një vizion i qartë rreth zgjerimit të NATO-s, në rajonin që dikur ishte i ndarë përmes perdes së hekurt. Aleanca gjithashtu, përmes partneritetit për paqe ndihmoi integrimin dhe unifikimin e Evropës, duke sjellë stabilitet dhe konsolidim të demokracisë.

Pas konflikteve të shumta në Ballkan, ai u bë pjesë e këtyre planeve të veprimit duke intensifikuar marrëdhëniet miqësore me këtë organizatë dhe duke kontribuuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, parandalimin dhe zgjidhjen e krizave në këtë gadishull, si edhe duke qenë pjesë e  misioneve të kësaj organizate. Vendet ballkanike filluan kështu procedurën për integrimin e plotë në këtë aleancë të rëndësishme politiko-ushtarake. Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia të cilat ishin të përfshira në Planin e veprimit për anëtarësim,  në vitin 2003 ecën një hap përpara. Ato të tria së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në maj të vitit 2003 nënshkruan Kartën e Adriatikut, në të cilën shprehej qartë “përkushtimi për forcimin e përpjekjeve individuale dhe bashkëpunuese për të intensifikuar dhe nxituar reformat e brendshme, të cilat kontribuojnë në rritjen e sigurisë, prosperitetit dhe stabilitetit në rajon.”[13]. Karta e Adriatikut ishte inspiruar nga grupimet e mëhershme siç ishin ato të Vilniusit dhe Vishegradit të cilët patën përdorur mënyrë të ngjashme për t’u integruar në strukturat euro-atlantike. Qëllimi i përbashkët i vendeve nënshkruese dhe SHBA-ve ishte integrimi i këtyre shteteve në organizatat evropiane dhe ato transatlantike dhe rritja e bashkëpunimit mes tyre.

Me transformimin e NATO-s pas Luftës së Ftohtë, ndryshuan edhe qëllimet e saj. Ajo po hyn tash në dekadën e gjashtë të ekzistencës së që nga krijimi i saj. Kjo organizatë u transformua nga një aleancë ushtarake mbrojtëse, në një organizatë që promovon sigurinë dhe stabilitetin edhe jashtë zonës euro-atlantike. Andaj për ta arritur këtë qëllim madhor nevojitet integrimi i plotë i tërë aktorëve evropianë.

Ballkani si një rajon i rëndësishëm gjeostrategjik zë vend shumë të rëndësishëm në prioritetet e NATO-s. Historikisht Ballkani ka qenë rajon ku janë gëshetuar interesat e fuqive të mëdha që nga periudha e Koncertit të Evropës e deri në fundin e Luftës së Ftohtë. Diplomacia Ruse këtë territor tradicionalisht e kishte përjetuar si sferë të ndikimit të saj.[14] Prandaj dhe politika amerikane, pikërisht për shkak të specifikasitetit të këtij rajoni, testoi mundësitë reale politike dhe ushtarake të dimensionit të veprimit rus, jo vetëm në Ballkan, por dhe më gjerë. NATO dëshmoi se ajo është një organizatë që ruan paqen dhe sigurinë në tërë territorin evropian. Me këtë rast, Shtetet e Bashkuara i treguan edhe pjesës tjetër të kontinentit vendin dhe rolin e Federatës Ruse në rendin e ri botëror. Intervenimi i NATO-s i dha fund luftërave dhe gjenocidit në ish Jugosllavi duke vendosur misione paqeruajtëse si garancë të paqes dhe sigurisë. NATO luajti një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm edhe gjatë konfliktit në Maqedoni, duke u angazhuar politikisht dhe ushtarakisht në menaxhimin dhe zgjidhjen e krizës[15]. Strategjia e NATO-s për Ballkanin ka për qëllim zgjerimin e kontrollit të saj mbi këtë rajon. Përmes asistencës që ajo u jep shteteve aspirante, kontribuon në stabilizimin e Ballkanit turbulent.

Samiti i Bukureshtit dhe mospranimi i Maqedonisë në NATO

Samiti i Bukureshtit i vitit 2008 shtroi nevojën e draftimit të një “Koncepti të ri strategjik”. Në këtë samit u diskutua edhe për çështjen e zgjerimit të kësaj aleance, gjegjësisht anëtarësimin e vendeve të Kartës së Adriatikut. Specialisti i çështjeve evropiane Paul Gallis, në raportin e  tij drejtuar Kongresit amerikan lidhur me Samitin e Bukureshtitshpreh qëllimin e organizatës për të ndërmarrë këtë hap:

“Asnjëra nga këto shtete nuk ka forcë ushtarake të mjaftueshme dhe të aftë që të mund të japë ndonjë kontribut domethënës në operacionet aleate. Megjithatë duke marrë parasysh jostabilitetin e vazhdueshëm në Evropën Juglindore, si pasojë nga kundërshtimi i ashpër i Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës, këto tri kandidate mund të kontribuojnë në stabilitetin e rajonit”[16]

Në këtë samit, Shqipëria dhe Kroacia u ftuan që t’i fillojnë bisedimet për t’iu bashkëngjitur Aleancës. Këto dy shtete “kanë treguar përkushtim ndaj sigurisë sonë të përbashkët dhe vlerave të përbashkëta të NATO-s, ndërsa pranimi i tyre do ta forcojë sigurinë për të gjithë në zonën euro-atlantike dhe do të na çojë neve më afër qëllimit tonë – një Evropë e plotë, e lirë dhe në paqe”[17]. Ky pranim ka rëndësinë e tij në tre dimensione. Së pari, në dimensionin lokal ky pranim ka ndikuar në zhvillimin e shteteve  individualisht. Ai do t’u ndihmojë Kroacisë dhe Shqipërisë të ecin përpara në rrugën e tyre drejt reformave dhe harmonizimit të legjislacioneve të tyre në pajtim me ato të shteteve anëtare në strukturat euro-atlantike. Ky proces ka për qëllim stabilizimin e brendshëm politik duke i shndërruar këto shtete në faktor stabilizues për tërë rajonin. Së dyti, në këndvështrimin rajonal, ky akt është një fillim i ri për tërë Ballkanin Perëndimor. Përderisa në shekujt e mëparshëm po edhe në këtë shekull Ballkani Perëndimor kishte qenë një rajon që kishte prodhuar vetëm kriza e luftëra, përqafimi i koncepteve euro-atlantike përgatit Ballkanin  që të jetë një hapësirë që do të reflektojë stabilitet dhe qëndrueshmëri. Së treti, dimensioni ndërkombëtar i pranimit të këtyre dy shteteve ballkanike në NATO, përfshin mundësinë e Shqipërisë dhe Kroacisë si dhe rajonit në tërësi për të kontribuuar në mbrojtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Në këtë samit Maqedonisë nuk iu dha ftesë për fillim të bisedimeve për pranim në këtë aleancë. Kjo qe një sinjal jo i mirë si për të ardhmen e këtij shteti të brishtë ashtu edhe për tërë rajonin. Korrespondentja e BBC për çështje evropiane raportonte nga Bukureshti se: “Vendimi për të mos ftuar Maqedoninë së bashku me Kroacinë dhe Shqipërinë rrezikon dërgimin e sinjaleve të përziera dhe rritjen e frikës për jostabilitet në rajon i cili edhe ashtu po lëkundet nga Serbia për shkak të deklarimit të pavarësisë së Kosovës.”[18] Mospranimi i këtij shteti multietnik, i cili duke marrë parasysh pozicionin e tij gjeografik, rezulton të jetë shumë i rëndësishëm për gjeopolitikën ballkanike dhe evropiane, zgjoi shqetësime si në strukturat e brendshme të shtetit ashtu edhe te faktori ndërkombëtar. Mospranimi i Maqedonisë në NATO dhe ndarja nga vendet nënshkruese të Kartës së Adriatikut për Maqedoninë do të thotë dështim dhe humbje e madhe.

Shkaqet për mospranim 

Megjithëse deri tek opinioni i gjerë, akti i mospranimit të Maqedonisë në NATO u interpretua se ishte vetëm shkak i vetos greke, lidhur me çështjen e emrit, de facto ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar në këtë vendim. “Maqedonia përballet me të tjera probleme përveç këtij, por çështja e emrit mbulon gjithçka” ishte shprehur Doris Pack gjatë një debati në Shkup menjëherë pas Samitit të Bukureshtit.[19]

Faktorët që kanë ndikuar në mosmarrjen e ftesës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, përfshijnë dy segmente: të brendshëm dhe të jashtëm. 

Faktorët e brendshëm           

Organizatat euro-atlantike vazhdimisht promovojnë politikën e dyerve të hapura dhe zgjerimit, por kushtet[20] të cilat ato kanë vënë për anëtarësim të shteteve të reja janë shumë të përpikta dhe përfshijnë shumë aspekte. Rruga bëhet edhe më e vështirë kur bëhet fjalë për shtete tejet të brishta, të dala nga sisteme socialiste, të cilat akoma mbeten në rrugën e gjatë të tranzicionit, me probleme të brendshme dhe me sfida të mëdha para vetes. Maqedonia vazhdon të ballafaqohet me këto sfida. Ndryshe nga Sllovenia dhe Kroacia, Maqedonia u pavarësua në mënyrë paqësore, me anë të referendumit në të cilin morrën pjesë vetëm maqedonasit. Kështu, përderisa deri në vitin 2001 Maqedonia përmendej si model paqeje në Ballkan, e tëra kjo ishte një fasadë meqë përbrenda problemet thelloheshin, ndërsa tensioni ndëretnik rritej gjithnjë e më shumë.[21] Në vitin 2001 Maqedonia u lëkund nga një konflikt i armatosur maqedono-shqiptar. Me mbështetjen dhe ndihmën e faktorit ndërkombëtar, u arrit një marrëveshje që u emërtua Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e cila i dha fund krizës dhe prezantoi ndryshime të reja në sistemin kushtetues dhe politik të Maqedonisë.

Përkundër mendimit të Savo Klimovskit, i cili shkruan se intervenimet në Preambulën e Kushtetutës janë bërë në shpirtin e konstitucionalizmit evropian dhe shkëputjes radikale nga koncepti tradicional i shtetit komb,[22] përfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore edhe pas tetë vjetësh mbetet vetëm një premtim i parealizuar, i shkruar vetëm në letër. Shqiptarët akoma trajtohen si qytetarë të dorës së dytë megjithëse ata përbëjnë më shumë se 25% të tërë popullsisë që jeton në këtë shtet.[23]

Kriteret të cilat Maqedonia duhet t’i përmbushë për t’u anëtarësuar në NATO janë pothuajse të ngjashme me ato të Kopenhagës për anëtarësim në Unionin Evropian. Raporti i progresit për Maqedoninë i përgatitur nga Komisioni Evropian në fund të vitit 2007 ka vlerësuar jo mirë progresin e bërë nga Maqedonia lidhur me përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, sidomos të atyre politike të cilat përfshijnë: stabilitetin e institucioneve për të garantuar demokraci, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave, bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore, respektimin e obligimeve ndërkombëtare etj.[24] Organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike janë njëri ndër kriteret bazë politike për anëtarësim në organizatat euro-atlantike. Maqedonia organizoi zgjedhjet parlamentare ku u vunë re parregullsi të shumta dhe përdorje e dhunës. Poashtu, në periudhën para Samitit të Bukureshtit, në Maqedoni pati shumë konflikte politike madje edhe përdorim të dhunës fizike në parlament, të cilat u pasqyruan negativisht në punën e këtij institucioni si një ndër organet më të larta të shtetit. Këto konfrontime politike pengojnë funksionimin e rregullt të institucioneve demokratike në vend, si dhe ngadalësojnë reformat e nevojshme të cilat janë kusht për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike. Mosrespektimi i pakicave, ka dëmtuar imazhin e Maqedonisë në arenën ndërkombëtare. Gjithnjë sipas raportit të UE-së për Maqedoninë i cili ishte botuar pak muaj para Samitit të Bukureshtit, thuhej se integrimi i pakicave mbetet mjaft i kufizuar. Për vetë ekzistencën e Maqedonisë shqiptarët janë faktori numër një ndërsa kur vjen në pyetje qeverisja e vendit, ata shndërrohen në kategori dytësore. Ata mbeten në dizavantash pothuajse në të gjitha sferat.

Duke marrë parasysh se kushtet dhe procedurat për anëtarësim në të dyja këto organizata, në të cilat Maqedonia ka shprehur prioritetet e saj për t’u integruar, janë pothuajse të njëjta, përfundojmë se Maqedonia ka pasur shumë zbrazëtira në plotësimin e kritereve për anëtarësim që para Samitit të Bukureshtit. Martin Erdman[25] megjithëse kishte lavdëruar politikën e suksesshme rajonale të Maqedonisë dhe tërheqjen e investimeve, ai kishte numëruar kërkesat kryesore të cilat Maqedonia duhet t’i përmbushë për të siguruar një ftesë për t’iu bashkuar NATO-s. Ato përfshinin: së pari, qëndrueshmërinë e procesit reformues të Maqedonisë dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit; së dyti, përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, dialogun e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin mes partive politike dhe stabilitetin politik afatgjatë.[26] Procesi reformues është shumë i ngadaltë, reformat në gjyqësi kanë ngecur, ndërsa zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit ka kohë që është lënë anash dhe është neglizhuar nga udhëheqësit e Maqedonisë. Marrëdhëniet ndëretnike gjatë kësaj kohe kishin vazhduar të mbeten shumë  të brishta duke kulminuar kohë pas kohe përmes fërkimeve dhe përplasjeve të ndryshme sidomos në rajonet multietnike.[27]

Në fillim të vitit të kaluar, kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski kishte vizituar NATO-n për të diskutuar lidhur me raportin e progresit brenda Planit të veprimit për anëtarësim. Aleatët ishin shprehur se “ish Republika Jugosllave e Maqedonisë ka bërë progres në zbatimin e reformave politike, ekonomike dhe ushtarake, por akoma duhet të punohet”[28], duke vazhduar se “përpjekjet për reforma të qëndrueshme do të mbeten kruciale për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë që ajo të arrijë aspiratat e saj euro-atlantike”.[29] Sipas këtyre deklaratave të shteteve aleate, shihet që ato kanë paralajmëruar qartë disa nga shkaqet për shkak të së cilave Maqedonia nuk do ta marrë ftesën për anëtarësim në këtë aleancë  tre muaj më vonë.

Pra, vetë Maqedonia bart pjesën më të madhe të fajit për mosanëtarësimin e saj në NATO. Ajo më kot kërkon fajtorin për këtë mospranim jashtë kufijve të saj. Përveç zvarritjes së procesit të zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, struktura shtetërore maqedonase kishte zvarritur plotësimin e kritereve të caktuara që më parë nga NATO- zbatimin e reformave të brendshme dhe zhvillimin e konceptit të bashkëjetesës në shtetin multietnik siç është Maqedonia.

Faktorët e jashtëm 

Moszgjidhja e kontestit me Greqinë lidhur me emrin kushtetues të Maqedonisë, ishte ndër shkaqet kryesore që Maqedonia nuk mori ftesë për anëtarësim në organizatën më të madhe për ruajtjen e  sigurisë në zonën euro-atlantike. Në deklaratën e dhënë nga kryetarët dhe kryeministrat e shteteve pjesëmarrëse në takimin e Këshillit Veri-Atlantik në prill 2008, u tha që “megjithëse në kornizat e Kombeve të Bashkuara shumë aktorë kishin punuar fort që të zgjidhin çështjen e emrit, kjo gjë s’ishte arrirë, andaj edhe ftesa për Maqedoninë do të zgjatet deri sa të arrihet një marrëveshje e pranueshme për të dyja palët”.[30] Kontesti i Maqedonisë me Greqinë ka filluar që nga pavarësimi i saj, ndërsa përpjekjet për zgjidhjen e tij kanë filluar që nga viti 1995, me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara. Sipas grekëve emri kushtetues i Maqedonisë vë në pah synime territoriale mbi një rajon verior të Greqisë me të njëjtin emër dhe paraqet keqpërdorim të traditës kulturore helenike.

Ky kontest nuk duhet të shikohet vetëm nga këndi bilateral në mes Greqisë dhe Maqedonisë. Për të pasur një tablo më të qartë është e domosdoshme që të kthehemi në retrospektivë, meqë zanafilla e këtij problemi lind që nga shthurrja e Perandorisë Osmane dhe ka një gamë trekëndore. Traktati i Shën Stefanit[31] kishte krijuar Bullgarinë e Madhe e cila brenda saj përfshinte edhe Maqedoninë e Egjeut, që mund të merret si një pikënisje e ftohjes së raporteve në mes Greqisë dhe Bullgarisë për mbizotërim të Maqedonisë së Egjeut. Lufta e Dytë Ballkanike kishte rezultuar me një aleancë në mes të Greqisë dhe Serbisë kundër Bullgarisë, e cila përfundoi me Traktatin e Bukureshtit[32] në gusht të vitit 1913. Përmes këtij traktati, Greqia futi nën zotërimin e saj Maqedoninë e Egjeut. Ndërsa me Traktatin e Neit[33], Bullgaria humbi Thrakën Perëndimore, e me këtë edhe daljen në Egje, e cila edhe sot është nën sovranitetin e Greqisë. Ky fakt ka rritur frikën e revanshit të Bullgarisë ndaj Greqisë për Maqedoninë e Egjeut dhe Thrakën Perëndimore, i cili mund të merret edhe si arsye e përplasjes së Greqisë me Maqedoninë për çështjen e emrit. Vetë politika e Sofjes vazhdon ta konsiderojë popullsinë sllave të Maqedonisë me etnogjenezë bullgare, duke mos njohur kombin maqedonas dhe as gjuhën maqedonase. Bullgaria deri tani ka ndarë me mijëra pasaporta bullgare[34] në Maqedoninë Lindore duke mos përjashtuar as zyrtarë qeveritarë të Maqedonisë. Ky fakt sigurisht që ka trembur Greqinë, e cila kundërshton emrin kushtetues të Maqedonisë. Greqia ka frikë nga mundësia e bashkimit të Maqedonisë me Bullgarinë, pasi që Bullgaria mund të kërkojë në emër të Maqedonisë pjesën e Maqedonisë së Egjeut e cila gjendet nën Greqinë. Nga ana tjetër edhe kontesti me Serbinë për çështje të kishës vazhdon akoma të zvarritet. Prandaj Qeveria e Maqedonisë duhet të zbatojë dokumentet e nënshkruara me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, të cilat janë parametra për rregullimin e fqinjësisë së mirë në mes shteteve. Në të kundërtën problemi mund të zgjerohet, nga një Maqedoni të kalohet në tri Maqedoni: atë të Egjeut, të Pirinit dhe të Vardarit.

Megjithatë, Greqia tashmë ka pranuar prezencën e fjalës “maqedoni”, por e ka kushtëzuar atë me shtimin e epiteteve si “veriore”, “e re”, “shkupi” etj. Nga ana tjetër Qeveria e Maqedonisë s’është treguar e gatshme për t’i kontribuuar një zgjidhjeje fleksibile e cila do të ishte e pranueshme për të dyja palët. Ajo nuk ka hezituar të bëjë veprime madje shumë provokuese[35] ndaj Greqisë të cilat janë dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar. Maqedonia është këshilluar që të evitojë veprimet të cilat përkeqësojnë marrëdhëniet  fqinjësore në rajon. Ngecja në përpjekjet për zgjidhjen e këtij kontesti po i kushton shumë shtrenjtë asaj.

Shqiptarët megjithëse lidhur me këtë çështje kishin qenë mjaft indiferentë, gjërat kanë ndryshuar dukshëm pas Samitit të Strasburgut në vitin 2009. Çështja parësore për shqiptarët mbetet integrimi i vendit në strukturat euro-atlantike. Lidhur me këtë çështje një studiuese maqedonase shkruan: “Ashtu sikur edhe shihet në kampanjën aktuale zgjedhore, politikanët shqiptarë dhe shqiptarët etnikë janë bërë tani mbështetësit më të fuqishëm të integrimit të Maqedonisë në UE dhe NATO, meqenëse ata çështjen e konfliktiti të emrit me Greqinë e perceptojnë në mënyrë më pak emocionale dhe janë më shumë të prirë të bëjnë kompromise.”[36] Por edhe vetë komuniteti maqedonas, edhe përkundër asaj që çështjen e kontestit të emrit e konsiderojnë si çështje ekskluzivisht të tyre, ende nuk duket qartë se cili është kompromisi i tyre. Meqenëse pas samitit të Strasburgut, mundësia për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO nuk duket gjëkundi, ky fakt ka filluar t’i iritojë shumë shqiptarët që jetojnë në Maqedoni.

Mospërcaktimi i qartë dhe konkret i koncepteve politike të Maqedonisë po reflekton një pasiguri edhe në marrëdhëniet me fqinjët e tjerë. Kontesti i Maqedonisë me Greqinë lidhur me emrin, ka nxjerrë në pah një zinxhir çështjesh të tjera të cilat janë të lidhura me identitetin dhe gjuhën.[37] Fqinji lindor Bullgaria kishte pranuar emrin e shtetit si të tillë, por kurrë gjuhën maqedonase dhe kombin maqedonas. Megjithëse Bullgaria me Maqedoninë kishin nënshkruar një deklaratë të përbashkët ku ishin njohur gjuha bullgare dhe ajo maqedonase si dy gjuhë zyrtare, kryeministri Bullgar Ivajlo Kalfin në mars kishte deklaruar se vendi i tij do të mbështesë hyrjen e Maqedonisë në NATO kur Maqedonia t’i zgjidhë të gjitha kontestet me fqinjët.[38] Për të mos mbaruar me kaq, fqinji veri-lindor – Serbia, refuzon ta pranojë kishën autoqefale maqedonase duke pretenduar se kisha e vetme autoqefale është ajo ortodokse serbe. Gjithashtu që nga njohja e pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia në tetor të 2008, marrëdhëniet mes këtyre dy ish-republikave jugosllave mbeten tejet të brishta.

Maqedonia për momentin po përjeton një krizë të thellë identiteti të kontestuar nga të gjithë fqinjët e saj. Sipas raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave thuhet se për maqedonasit çështja e identitetit të tyre është e lidhur me vetë ekzistencën e shtetit të tyre.[39] Kjo për shkakun se Maqedonia është një shtet multietnik dhe tejet i brishtë, ndërsa tensionet e vazhdueshme mes maqedonasve dhe shqiptarëve janë të pranishme dhe lëkundin dukshëm stabilitetin e vendit. Këto shkaqe në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi kanë ndikuar në mospranimin e Maqedonisë në superfuqinë politiko-ushtarake. Kontesti me Greqinë pati ndikuar drejtpërdrejt, me përdorimin e vetos nga Greqia për të penguar integrimin e Maqedonisë, ndërsa kontestet me fqinjët e tjerë kanë dhënë impakte të tjera negative. Marrëdhëniet me fqinjët dhe kontribuimi në sigurinë dhe mirëqenien rajonale janë kriteret bazë për anëtarësimin e një vendi si në Unionin Evropian ashtu edhe në NATO.

Pasojat e mundshme nga mospranimi i Maqedonisë në NATO 

Përderisa dy fqinjët e saj në samitin e fundit që u mbajt në Strasburg, u bënë anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë, Maqedonia kishte humbur edhe shansin e dytë. Mbetja e Maqedonisë jashtë kësaj strukture domosdo se jep impakte negative në radhë të parë për Maqedoninë, si dhe tërë rajonin e Ballkanit.

Impakti negativ për Maqedoninë 

Maqedonia edhe një vit pas Samitit të Bukureshtit nuk arriti të asgjësojë pengesat që i zinin rrugën drejt NATO-s, por bëri pikërisht të kundërtën. Analisti shqiptar Petrit Haliti në një artikull me titull “I munguari me dashje i samitit të NATO-s” shkruan:

“Politika e acarimit dhe e krijimit të provokimeve politike, historike e diplomatike, që qeveria e Gruevskit zgjodhi për të zbatuar gjatë gjithë këtij viti atlantik, që nga samiti i Bukureshtit e deri tek samiti i Strasburgut, nuk mund të mos çojnë tek bindja se qeveria e Shkupit në mënyrë të ndërgjegjshme, jo vetëm nuk iu afrua, por iu largua një kompromisi për emrin me Greqinë.”[40]

Meqenëse Maqedonia mori në Bukuresht një ftesë të kushtëzuar, moszgjidhja e kontestit me Greqinë, për Maqedoninë do të thotë rrezik për vetë ekzistencën e saj dhe rilindjen e kontesteve me fqinjët e tjerë. Mbase shqiptarët ruajtën indiferencën e tyre lidhur me çështjen e emrit duke u treguar shumë konstruktivë, mospranimi i Maqedonisë në NATO i ka zhgënjyer shumë ata. Në raportin e vitit të kaluar të realizuar nga UNDP,  “People centred analyses”, shihet se 14% nga shqiptarët e anketuar mendojnë se anëtarësimi në NATO përbën prioritet për zhvillimin e ardhshëm të Maqedonisë, për dallim nga maqedonasit të cilët përfshihen me 7%.[41] Për shqiptarët integrimi në NATO dhe UE është çështje parësore dhe për këtë nuk janë të gatshëm të bëjnë kompromise.

Maqedonia vazhdon të mbetet një vend mjaft i dobët ekonomikisht, me papunësi të lartë, ndërsa së fundmi aty ka gjithnjë e më pak investime të huaja. Klima e pavolitshme politike po ndikon fatalisht në zhvillimin ekonomik të saj dhe në marrëdhëniet e saja ekonomike me fqinjët, gjë e cila po e çon Maqedoninë, përveç izolimit politik edhe drejt izolimit ekonomik.

Vetoja greke për Maqedoninë paraqet edhe një paralajmërim për vështirësitë që do të ketë Maqedonia për t’u anëtarësuar edhe në Unionin Evropian, ku Greqia ka një pozitë edhe më të favorshme.[42] Përderisa deri në vitin 2008 nga Komisioni Evropian janë përdorur termet “maqedonas” dhe “gjuha maqedone”, ndikimi i theksuar i greqisë në institucionet e Unionit Evropian ka bërë që kjo të ndryshohet. Në doracakun ndërinstitucional të kontrolluar nga Byroja për publikime zyrtare e unionit Evropian, termi “maqedonas” dhe kodi “MK” është zëvendësuar me “të definohen”.[43]

Pengesa për Maqedoninë për t’u integruar në NATO dhe sipas të gjitha gjasave edhe në UE, do të thotë se Maqedonia po mbetet një vend pa orientim strategjik. Edhepse kontesti me Greqinë është duke i kushtuar shtrenjtë Maqedonisë, udhëheqësia e shtetit maqedonas po keqpërdor si duket pozitën e saj gjeostrategjike në rajon si dhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, sidomos SHBA-ve. SHBA-të kishin ripohuar mbështetjen e tyre për një Maqedoni unitare, multietnike brenda kufijve të saj ekzistues dhe kishin shprehur vullnetin për të rritur marrëdhëniet e tyre strategjike me Maqedoninë, menjëherë pas Samitit të Bukureshtit në maj të 2008.[44] Gjatë procesit të integrimit të shteteve, “vrimat e zeza” mbeten të padëshirueshme për organizatat multilaterale, sidomos për ato që kanë për qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe paqes. Meqenëse Maqedonia ndodhet gjeografikisht në mes të gadishullit, e rrethuar me shtete që tashmë janë pjesë e strukturave euro-atlantike, ajo po sillet shumë dinakërisht, duke zvarritur procese të cilat përveç se e dëmtojnë vetë atë, ndikojnë negativisht edhe për tërë rajonin e brishtë ballkanik.

Impakti negativ për tërë rajonin ballkanik

Ruajtja e paqes dhe stabilitetit rajonal si dhe zgjerimi i zonës së sigurisë në Evropë, janë qëllimet kryesore të NATO-s. Këto qëllime përputhen katërcipërisht me interesat strategjike dhe prioritetet e shteteve të Ballkanit. Andaj edhe ngecjet që bëhen në këto procese integruese, jetike, janë shumë të dëmshme madje edhe të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Një Maqedoni jashtë strukturës mbrojtëse të sigurisë, përveç se prodhon një pasiguri të brendshme, bart pasoja edhe për fqinjët e saj dhe tërë rajonin. Me të drejtë analisti i revistës së njohur gjermane “Der Spiegel”, Edward P. Joseph, parashikon:

“Duke mbajtur të hapur çështjen e Maqedonisë, Serbia, Rusia dhe shtete të tjera mund të vazhdojnë që në agjendën e tyre të mbajnë të hapura edhe çështje të tjera, duke përfshirë këtu edhe kufijtë përfundimtarë të Kosovës. Në qoftë se Maqedonia do të hyjë sërish në konflikt, është e sigurt që ajo nuk do të mbetet më brenda kufijve të saj aktualë. (…) Para Bukureshtit shqetësimi i Shkupit ishte që ndarja e Kosovës e nxitur nga serbët do të mund të nxiste lëvizje secesioniste mes shqiptarëve etnikë në Maqedoni. Pas Bukureshtit, e vërtetë është e kundërta: agjenda serbo-ruse mund të avancojë nga trazirat në Maqedoni. Së shpejti, çfarëdo trendi drejt shpërbërjes në Maqedoni, do të ketë pasoja të drejtpërdrejta dhe të paevitueshme për Kosovën.” [45] Ky ndryshim është një indikator që Ballkani mund të jetë i qëndrueshëm vetëm në saje të stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së secilit vend veç e veç. Çdo lëkundje dhe jostabilitet në cilindo shtet të tij, jep impakt në tërë sipërfaqen e gadishullit. Prandaj, sekretari gjeneral i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer kishte vizituar Athinën në mars të 2008, dhe kishte bërë përpjekje t’i zhbindë grekët dhe t’i paralajmërojë ata lidhur me pasojat për stabilitetin rajonal që mund të shkaktohen në qoftë se nuk arrihet një marrëveshje.[46]

Kontesti midis Greqisë e Maqedonisë mund të sjellë pasoja në zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik të Ballkanit, destabilizimin e situatës rajonale, madje mund të vijë deri te devijimi i strategjisë kryesore të NATO-s dhe UE-së për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe humbjen e besimit në këto organizata.

Përfundime dhe rekomandime           

Nevoja për profilizim të politikës së brendshme të Maqedonisë

Lëvizja drejt NATO-s ka qenë një lëvizje me parametra të paracaktuar. Programi i Partneritetit për Paqe si një qasje strategjike për vendet aspirante, si dhe Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim si një mekanizëm për Evropën Juglindore, ishin kusht për vendosjen e marrëdhënive ndërajonale dhe krijimin e stabilitetit të brendshëm politik, ekonomik dhe ndëretnik. Kjo ishte një kërkesë reale për bashkëpunim në rajon. Republika e Maqedonisë si nënshkruese e këtyre mekanizmave përcjellëse të integrimit, duhet të jetë më racionale në hartimin e politikave të saj, në mënyrë që vendin ta çojë drejt integrimit në strukturat euroatlantike. Përkundër nënshkrimit të këtyre akteve, Maqedonia ka ngecur në implementimin e dokumenteve që mundësojnë hyrjen në këto struktura. Marrëveshja e Ohrit sot përbën një dokument i cili ndodhet në pikën më të ulët të implementimit. Qeveria e Maqedonisë këtë marrëveshje e sheh më shumë si diktat të ndërkombëtarëve se sa si një dokument të funksionalizimit të shtetit (apo shpëtimit të shtetit). Mosimplementimi i Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarëve gjithnjë e më shumë po ua humb shpresat e jetësimit të shtetit multietnik dhe të konceptit të bashkëjetesës politike. Për Maqedoninë koncepti multietnik i shtetit është një faktor kyç për stabilitetin e vendit. Ky koncept do të bëjë një ambient më të sigurtë dhe një mirëqenie të barabartë të shtetasve të saj, duke krijuar një bazë të besimit dhe tolerancës mes njerëzve që jetojnë në këtë shtet. 

Nevoja e reformimit të mekanizmave vendimmarrëse në organizatat euro-atlantike 

Që nga shpërbërja e BRSS-së, NATO shpeshherë ka qenë në zemër të kritikave në kontekstin e revitalizimit të saj. Kjo na bën të mendojmë se koncepti Raison d’etat po dominon mbi politikat e integrimit, meqë disa shtete vazhdojnë të adaptojnë politika nacionaliste. Integrimi i shteteve në strukturat euro-atlantike është një dëshmi se vetëm përmes këtij procesi paqja në Evropë u mbajt për gjashtëdhjetë vjet stabile, duke i kthyer armiqtë në partnerë të bashkëpunimit. NATO nuk duhet të lejojë pengimin e procesit të antarësimit i cili po mbahet peng nga disa shtete të cilat kanë probleme bilaterale. E drejta e vetos në strukturat euro-atlantike për pranimin e antarëve të rinj nga shumë shtete po shikohet si një e drejtë për ta paralizuar tjetrin. Natyrisht, e drejta e vetos do të ishte më e justifikueshme, vetëm atëherë kur të gjitha shtetet anëtare të strukturave euro-atlantike, do të ishin me plotkuptimin e fjalës demokraci të zhvilluara. Ndërsa, nga ana tjetër, kjo e drejtë mund të justifikohet vetëm po qe se shtetet anëtare të euro-atlantizmit nuk kanë ambicie ekspansioniste ndaj fqinjëve të vet.

Në qoftë se kjo praktikë do të vazhdojë edhe për shtetet tjera të gadishullit, që sigurisht do jetë e pranishme për shkak të armiqësive tradicionale, atëherë do të duhet ose të kalojë një kohë shumë e gjatë që armiqësitë të harrohen ose do të jetë e nevojshme një reformë e njëmendët në mekanizmin për anëtarësimin e anëtarëve të rinj në Unionin Evropian dhe NATO. Përndryshe një integrim i plotë i rajonit ballkanik në strukturat euro-atlantike do të jetë pothuajse i pamundshëm.

Referenca:

[1] “Fourteen conditions of peace”, Fjalim i mbajtur nga Woodrow Willson në Kongresin amerikan më 8 Janar 1918. Selected addresses and public papers of Woodrow Wilson,New York: Boni and Liveright, 1918. Fq. 244

[2] Po aty, fq. 249

[3] Karta e OKB-së. Neni 1. Marrë nga http://www.un.org/aboutun/charter/chapter1.shtml më 19 mars 2009

[4] The North Atlantic Treaty, Washington D.C. – 4 April 1949. Marrë nga http://www.nato.int/docu/basictxt/treaty.htm më 18 mars 2009

[5] “NATO looks East”, edited by Robert J. Jackson and Piotr Dutkiewitcz, London: 1998. Fq. 1

[6] The Alliance’s Strategic Concept, approved by the Heads of State and Government participating in the meeting of the North Atlantic Council in Washington D.C. on 23rd and 24th April 1999. Marrë nga http://www.nato.int/docu/pr/1999/p99-065e.htm  më 19 mars 2009.

[7] Po aty. Pika 6.

[8] Po aty. Pika 8.

[9] Neni 10 është si vijon: “Palët munden, me anë të marrëveshjes unanime, të ftojnë ndonjë shtet tjetër evropian që do t’i ndjekë parimet e këtij traktati dhe do të kontribuojë në sigurinë e zonës veri-atlantike, të aderojë në këtë traktat…”. The North Atlantic Treaty, Washington D.C. – 4 April 1949. Marrë nga http://www.nato.int/docu/basictxt/treaty.htm më 19 mars 2009

[10] Lisen Bashkurti, Mbi të drejtën ndërkombëtare dhe organizatat ndërkombëtare, Tiranë: 2006. Fq.168

[11] NATO looks East, edited by Robert J. Jackson and Piotr Dutkiewitcz, London: 1998. Fq.13. Edhe Maqedonia si prioritet strategjik të politikës së jashtme të saj kishte vendosur integrimin në NATO dhe UE. “Годишна национална програма за подготовки за членство на РМ во НАТО 2006-2007”, http://www.vlada.mk/files/doc/programa_clenstvo_NATO.pdf

[12] Study on NATO Enlargement issued by the Heads of State and Government participating in the Meeting of the North Atlantic Council. Kapitulli I, pika 2. Marrë nga

http://www.nato.int/docu/basictxt/enl-9502.htm , më 20 mars 2009.

[13] Karta e Adriatikut, e nënshkruar në Tiranë më 2 maj 2003 nga përfaqësues të SHBA-ve, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë. Pika 2 e kartës. Versioni i saj në anglisht gjendet në http://www.america.gov/st/washfile-english/2003/May/20030502165618rennefl0.4553644.html më 20 mars 2009. Ndërsa versionin shqip mund ta gjeni në http://albanian.tirana.usembassy.gov/06pr_0411.html

[14] Vukadinoviq, R., Kosovska kriza i ruska vanjska politika, Europska unija-pravni, gospodarski i politicki aspekti”, Informator,  Nr.4780-4782,  Zagreb, 29 dhjetor 1999 dhe 1-5 janar 2000 ff, 5-9

[15] Tri mësimet e njohura të mësuara nga konfliktet në ish Jugosllavi janë: aleatët  mund të jenë efektivë në qoftë se veprojnë herët, në qoftë se flasin njëzëri dhe në qoftë se janë të përgatitur të përdorin një sasi force për të mbështetur pozicionin e tyre. Lexo më shumë: NATO and European security: alliance politics from the end of the Cold War to the age of terrorism, edited by Alexander Moens, Lenard J. Cohan and Allen G. Sens, London, 2003, fq. xxi

[16] CRS Report for Congress. “The NATO Summit at Bucharest”, 2008. Paul Gallis, specialist in European Affairs, Foreign Affairsm Defence and Trade Division. Congressional Research Service, the Library of Congress. http://digital.library.unt.edu/govdocs/crs/permalink/meta-crs-10731:1

[17] Bucharest Summit Declaration. Issued by the Heads of State and Government participating in the meeting of the North Atlantic Council in Bucharest on 3 April 2008. Marrë nga http://www.nato.int/docu/pr/2008/p08-049e.html më 23 mars 2009

[18]Oana Lungescu, “Nato Macedonia veto seeks tension”. BBC News. (04/04/2008). Marrë nga: http://news.bbc.co.uk/2/hi/europe/7329963.stm më 25 mars 2009.

[19]“Doris Pack: Uncertain EU future for Macedonia without name compromise”, Macedonian Information Agency, April 5, 2008.

[20] Kushtet e vendosura nga NATO të cilat shtetet aspirante duhet t’i plotësojnë përfshijnë: funksionimin e sistemit politik demokratik të bazuar në ekonominë e tregut, trajtimi i drejtë i minoriteteve, angazhimi për zgjidhjen paqësore të konflikteve, aftësia dhe vullneti për të kontribuuar në operacionet e NATO-s dhe angazhimi për marrëdhëniet demokratike civilo-ushtarake dhe strukturat institucionale. Për më tepër lexo http://www.nato.int/issues/enlargement/index.html. Marrë më 25 mars 2009.

[21] Albulena Halili, “Ndryshimet kushtetuese në RM sipas Marrëveshjes së Ohrit”, maj 2003. Dorëshkrim.

[22] Klimovski, S.,Mitkov, V., Treneska, R., Karakamisheva, T., Ustavno ureduvanje na Republika Makedonija, Prosvetno Dello, Skopje, 2003, faq. 36

[23] Megjithëse me regjistrimin e fundit të vitit 2002 ishte regjistruar një numër prej 25%, numri i popullatës shqiptare përfaqëson  33% nga tërë numri i popullsisë që jeton në Maqedoni.  Rahim Veliu: “Geographical span and the Albanian population movement in Macedonia” Tetovë, 2002. Fq.40

[24] The Former Yugoslav Republic of  Macedonia 2007 Progress Report. SEC (2007) 1432. Commission of the European Communities.  Brussels, 2 November 2007. Gjithashtu lexo edhe Raportin e Departamentit të shtetit të SHBA-ve për vitin 2008, në pjesën ku flitet për Maqedoninë thuhet se Maqedonia zvarritet me reformat gjyqësore duke shtuar se presioni politik dhe frikësimet ndikojnë negativisht në efikasitetin e gjyqësisë. Poashtu sipas këtij raporti vlerësohet se tensionimi mes popullatës maqedonase dhe shqiptare vazhdon të ndikojë në sferat si arsimi, punësimi dhe pjesëmarrja politike. Shqipmedia. 26 shkurt 2009

[25] Martin Erdman është asistent i sekretarit general të NATO-s për çështje politike dhe politikën e sigurisë si dhe udhëheqës i ekipit i cili vlerëson progresin e Maqedonisë për rrugën e saj drejt aleancës.

[26] “NATO urges more Macedonia reforms”, November 12, 2007.  Macedonian news. Marrë nga http://www.vmacedonianews.com/2007/11/nato-urges-more-macedonia-reforms.html më 26 mars 2009.

[27] Vlen të theksohet si shumë tensionues rasti me nxënësit e qytetit të Strugës

[28] “Prime Minister of former Yugoslav Republic of Macedonia discusses membership aspirations with NATO Allies”. 23 January 2008. NATO official web page.

[29] Po aty.

[30] Bucharest Summit Declaration. Issued by the Heads of State and Government participating in the meeting of the North Atlantic Council in Bucharest on 3 April 2008. Marrë nga http://www.nato.int/docu/pr/2008/p08-049e.html më 23 mars 2009

[31] The Preliminary Treaty of Peace, signed at San Stefano,1878 http://www.uoregon.edu/~kimball/1878mr17.SanStef.trt.htm

[32] Peace treaty of Bucharest signed on 28 July/10 august 1913 between Rumania, Greece, Montenegro, Bulgaria and Serbia. R.B. Mowat, Selected Treaties and Documents 1815-1916, Oxford : Clarendon Press, 1916, pp.121-123; Në frëngjisht: Nouveau Recueil, 3me serie, t. viii ; Shih gjithashtu Jean-Arnault Dérens, Balkans: la crise, Editions Gallimard, 2000, ff. 54-58 dhe La République de Macédoine, sous la direction de Christophe Chiclet et Bernard Lory, Paris, 1998, ff. 16-20

[33] Treaty of peace between the allied and associated powers and Bulgaria and Protokol, signed at Neuilly-sur-Seine, November 27, 1919. Biblioteka britanike. Koleksioni i Azisë. IOR/L/E/7/1202, Folderi 380(vi)

[34]Sipas gazetës maqedonase “Veçer” thuhet se që nga viti 1990 e deri në nëntor të 2006, 10 198 maqedonas kanë marrë pasaporta bullgare. 14.11.2006, nr. 13348

[35] Riemërtimi i aeroportit të Shkupit me emrin “Aleksandri i Maqedonisë”. Владимир Мирчевски “Македонскиот аеродром му даде нова димензија на спорот со името”, Балкан инсајт, 18 Јануари 2007. BIRN. Maqedonia vazhdoi edhe meemërtimin e magjistrales kryesore që lidh Maqedoninë me Greqinë me po të njëjtin emër, emërtimin e stadiumit me emrin e Filipit II si dhe vendosjen e statujave antike para objektit të qeverisë maqedonase në Shkup.

[36] Cvete Koneska, “As elections near, euro-skepticism on the rise in Macedonia”, 10/03/2009. Balkananalysis.com. http://www.balkanalysis.com/2009/03/10/as-elections-near-euro-skepticism-on-the-rise-in-macedonia/  marrë më 11 mars 2009

[37] Albulena Halili, “Viti i brishtë”, Express,  Prishtinë, 27 dhjetor  2008, fq.25.

[38] Iliria News Agency, 18/03/2009.

[39] “Macedonia’s Name: Breaking the Deadlock”, Crisis Group Europe Briefing Nr.52, 12 January 2009

[40] Petrit Haliti, “I munguari me dashje i samitit të NATO-s”, 06/04/2009. http://balkanweb.com/sitev4/lajme.php?id=36042

[41] People centred anlyses, Raport përgatitur nga UNDP, Misioni Shkup. Mars 2008, fq. 54

[42] Kjo për faktin se në UE nuk bëjnë pjesë SHBA-të të cilët janë mbështetës dhe aleatë strategjikë të Maqedonisë, ndërsa shtete të fuqishme si Franca dhe Spanja mbështetin Greqinë lidhur me këtë kontest. Ministri i punëve të jashtme të Francës, Bernard Kuchner kishte deklaruar se përderisa nuk zgjidhet çështja e emrit nuk mund të ketë progres të mëtejshëm në anëtarësimin e shtetit në UE. Heather McRobie, “A Macedonian identity crisis”, guardian.co.uk. 7 prill 2009. http://www.guardian.co.uk/commentisfree/2009/apr/07/balkans-greece

[43] Raportuesi në Parlamentin Evropian për Maqedoninë, Erik Mejer kishte kërkuar sqarim nga Komisioni Evropian lidhur me këtë çështje dhe kjo ishte konfirmuar nga ata. Për më tepër lexo “Mejer kërkon shpjegim për termin “maqedonas””, 02/04/09, INA online.net

[44] Declaration of strategic partnership and cooperation between the United States of America and the Republic of Macedonia, May 7, 2009, Washington DC. Bureau of European and Eurasian Affairs. http://www.state.gov/p/eur/rls/or/104441.htm

[45] Edward P. Joseph, “How to solve the Greek dispute over Macedonia’s name”, Der Spiegel. 02/06/2009.

[46] Balkan Insight 3 mars 2008; Gjithashtu  lexo: Macedonia’s Name: Breaking the Deadlock. Crisis Group Briefing Nr. 52, 12 janar 2009

*Botuar në bashkëautorësi me Fatmir Arifin në “Perspektivat Euro-Atlantike të RM-së: Problemet, Sfidat dhe Realiteti Politik pas Dështimit në Samitin e NATO-s në Bukuresht 2008″, ff. 131-147. UEJL2009Punimin e gjeni edhe në linkun http://www.seeu.edu.mk/files/research/NATO-sq.pdf   

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Create a free website or blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: