Analizë: Maqedonia mes integrimit në strukturat euro-atlantike dhe gjeopolitikës ballkanike

Mosmarrja e ftesës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO, është një paralajmërim se integrimi në strukturat euro-atlantike nuk do të jetë i afërt. Edhe përkundër faktit që Maqedonia integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian e sheh si prioritet, kontesti me Greqinë ndikon negativisht në stabilitetin politik të vendit, duke prekur segmente të drejtpërdrejta të sigurisë,  të cilat mund të hapin një gamë të gjerë edhe në fusha të tjera. Dështimi i të qenurit racional, jo vetëm që do të prekë gjeopolitikën rajonale, por do të reflektojë negativisht edhe përbrenda vetë shtetit.

Popullsia shqiptare pavarësisht forcës politike që ajo përfaqëson, prioritet qenësor ka hyrjen e Maqedonisë në NATO. Euro-atlantizmi për shqiptarët paraqet doktrinën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për krijimin e një Ballkani stabil dhe të qëndrueshëm. Prandaj çdo ngecje e këtij procesi i bën shqiptarët të ndjehen të izoluar. Mosimplementimi i Marrëveshjes së Ohrit ka rritur skepticizmin te popullsia shqiptare. Qeveria e Maqedonisë këtë marrëveshje e sheh më shumë si diktat të ndërkombëtareve se sa si një dokument të funksionalizimit të shtetit. Dështimi i zbatimit të kësaj marrëveshjeje, te shqiptarët gjithnjë e më shumë po humb shpresat për konceptin e shtetit multietnik.

Qeveria e Maqedonisë por dhe opinioni i gjerë, nuk duhet të shfrytëzojnë kontestin e emrit për qëllime populiste. Ajo duhet ta gjejë formulën për zgjidhjen e konfliktit me Athinën, në mënyrë që vendi të integrohet sa më parë në NATO dhe BE. Moszgjidhja e këtij kontesti Maqedoninë mund ta çojë drejt një izolimi i cili si pasojë e dështimit të politikës qeveritare mund të prodhojë nacionalizëm.

Përkundër përkushtimit të bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar në tejkalimin e krizës, Maqedonia në radhë të parë duhet ta ndihmojë veten e saj. Kërkimi i rrënjëve të identitetit në antikë, sfidohet nga tre fqinjët e saj. Greqia nuk njeh nocionin Maqedoni, Bullgaria – kombin dhe gjuhen maqedonase ndërsa Serbia kundërshton njohjen e autonomisë së kishës.

Kthimi në të kaluarën historike nuk do të zgjidhë, por vetëm sa do ta komplikojë situatën, e cila nuk mund të shikohet vetëm në këndvështrimin bilateral. Ky fenomen ka një gamë më të gjerë se kaq. Zanafillën e saj e gjejmë që nga shpërbërja e Perandorisë Osmane. Traktati i Shën Stefanit kishte tendencë krijimin e Bullgarisë së Madhe, duke futur nën zotërim Maqedoninë e Egjeut. Lufta e Dytë Ballkanike rezultoi me një aleancë në mes të Greqisë dhe Serbisë kundër Bullgarisë e cila përfundoi me Traktatin e Bukureshtit në gusht të vitit 1913.

Përmes këtij traktati, Greqia futi nën zotërimin e saj Maqedoninë e Egjeut. Traktati i Neit, Bullgarisë i mori Thrakën Perëndimore e cila edhe sot është nën sovranitetin e Greqisë. Ky fakt ka rritur frikën e revanshit të Bullgarisë ndaj Greqisë mbi Maqedoninë e Egjeut dhe Thrakën Perëndimore, që mund të merret edhe si arsye e përplasjes së Greqisë me Maqedoninë për çështjen e emrit. Vetë politika e Sofjes popullsinë sllave të Maqedonisë vazhdon ta konsiderojë me etnogjenezë bullgare, duke mos e njohur kombin maqedonas e as gjuhën maqedonase. Bullgaria ka ndarë mijëra pasaporta bullgare në Maqedoni duke mos përjashtuar as zyrtarë të lartë qeveritarë të Maqedonisë. Ky fakt domosdo që ka trembur Greqinë, e cila kundërshton emrin kushtetues të Maqedonisë. Greqia i frikësohet një bashkimi të mundshëm të Maqedonisë me Bullgarinë, gjë që kjo e fundit në emër të Maqedonisë mund të kërkojë pjesën e Maqedonisë që ndodhet nën Greqi. Maqedonia e Egjeut ka një popullsi të konsiderueshme sllavofolëse. Kontesti me Serbinë për çështjen e kishës ende vazhdon të zvarritet. Prandaj Qeveria e Maqedonisë duhet të zbatojë dokumentet e nënshkruara me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, të cilat paraqesin parametra për rregullimin e fqinjësisë së mirë mes shteteve. Në të kundërtën, problemi mund të zgjerohet – nga një Maqedoni të kalohet në tri Maqedoni.

Maqedonia është futur në një sërë kontestesh, andaj është më se e domosdoshme të gjendet formula e duhur për tejkalimin e kësaj gjendjeje. Ngecja e kësaj çështjeje, nuk do të zbusë hendekun mes palëve, sigurisht që do ta thellojë më shumë. Ky fakt do të ketë impakt negativ në gjeopolitikën rajonale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të arritur deri te një kompromis i duhur në mes të Shkupit dhe Athinës, përderisa shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian janë pozicionuar përkrah Athinës. Në këtë trekëndësh, Shkupi zyrtar nuk duhet ta keqpërdorë angazhimin e SHBA-ve, por duhet të jetë më afër kompromisit për gjetjen e emrit.

Anketa të ndryshme që janë bërë në Greqi lidhur me këtë problem, konsiderojnë se fajtori kryesor në këtë mes janë Shtetet e Bashkuara për faktin se ato kanë mbështetur Maqedoninë. Mendimi që Maqedonia do të jetë më afër kompromisit po qe se nuk do ta ketë mbështetjen e SHBA-ve, ka rritur antiamerikanizmin në Greqi. Kjo do të thotë se SHBA-të mund të futen në një konflikt të hapur me Greqinë, nga i cili mund të përfitojë Rusia. Transformimi i Maqedonisë nga një shtet normal në një konflikt të ngrirë, do t’i shërbejë agjendës së Rusisë në lidhje me Ballkanin. Rusia synon ta zvogëlojë ndikimin amerikan dhe ta neutralizojë Bashkimin Evropian në favor të ekspansionizmit të Moskës.

Bashkimi Evropian duket se është indiferent ndaj këtij procesi. Vonesat e BE-së për ballafaqimin me sfidat ballkanike kanë qenë shumë të dukshme gjatë dekadave të fundit. Pa NATO-n dhe SHBA-të, Bashkimi Evropian ka dështuar në eliminimin e reminishenteve të shekullit XIX dhe XX. BE duhet të jetë më aktive në zgjidhjen e këtij problemi, duke unifikuar konceptet politike ndaj Ballkanit. Ndihmesa evropiane është e domosdoshme, jo vetëm për Ballkanin por dhe për vetë perspektivën e saj. Kjo do të mënjanonte vështërsitë e shkaktuara nga konceptet konservative dhe do t’i jepte shtytje procesit të zgjerimit dhe konsolidimit të BE-së.

Sidoqoftë, Qeveria e Maqedonisë duhet të gjejë metodat për të mënjanuar krizën politike,  e cila si duket po ndikohet nga tendencat nacionaliste. Vlerësimi i interesave kombëtare nuk duhet të bazohet mbi konceptet vestfaliane. Interesi kombëtar duhet të përmbajë ndjenjën e bashkëpunimit dhe të koncenzusit të gjrrë. Respektimi i këtij vizioni do të ndikojë në shkëputjen nga metodat e vjetra të drejtimit të shtetit.

Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë për emërtimin e Aeroportit të Shkupit dhe autostradës që lidh Maqedoninë me Greqnë, me emrin e Aleksandrit të Madh, u perceptua si provokim ndaj ndjenjave helene, dhe armiqësoi edhe më tepër Athinën. Ky hap është kritikuar edhe nga faktori ndërkombëtar duke paralajmëruar procesin e dobësimit të Maqedonisë në sferën ndërkombëtare. Shkupi zyrtar duhet të jetë më koherent dhe më fleksibil në politikën e tij, me qëllim që të mos e dëmtojë besimin e faktorit ndërkombëtar te Maqedonia.

Qëndrimi i Maqedonisë rrezikon edhe vetë Konceptin strategjik të NATO-s për stabilizimin dhe sigurinë e Ballkanit. Një Maqedoni jashtë strukturave euro-atlantike do të jetë një burim mosmarrveshjesh mes shteteve të Ballkanit. Prandaj është e domosdoshme që Shkupi dhe Athina të rishikojnë qëndrimet politike me qëllim të riafirmimit dhe përkushtimit të tyre për zgjidhjen e emrit.

Mungesa e një vizioni evropianist do të çojë në ngecjen e reformave, që do të sjellë dhe humbjen e besimit tek investitorët e huaj duke bërë që situata ekonomike në Maqedoni të përkeqësohet.

 

P.S.: Kjo analizë është pjesë nga kumtesa e prezentuar në konferencën shkencore me titull “Perspektivat euro-atlantike të Republikës së Maqedonisë: problemet, sfidat dhe realiteti politik pas dështimit në Samitin e Bukureshtit 2008”, organizuar nga  Universiteti i Evropës Juglindore në bashkëautorësi me Fatmir Arifin. Punimin e plotë mund ta gjeni në faqet 131-147 në linkun http://www.seeu.edu.mk/files/research/NATO-sq.pdf   

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: