Viti i brishtë

Viti 2008 është vit i brishtë. Si i tillë, nuk ishte shumë i rëndomtë. Për shqiptarët mund të thuhet se qe i suksesshëm, për rajonin – një vit që mbajti shumë çështje pezull, për kontinentin e vjetër – një vit me lëkundje dhe kriza të theksuara, ndërsa për botën – një vit që përcaktoi dhe iu dha kahe tjetër shumë gjërave, të cilat në marrëdhëniet ndërkombëtare do të jenë objekt studimi  për gjatë kohë.

I

Viti paraprak, 2007, kishte mbajtur pezull çështjen me vlerë vitale për shqiptarët, përcaktimin e statusit të Kosovës, duke tejzgjatur deri në pafundësi negociatat e lodhshme dhe të pakuptimta mes autoriteteve të Beogradit dhe Prishtinës. Ato morën fund në dhjetor të 2007 duke mos arritur asnjë rezultat që do shërbente si bazë juridike në sistemin e së drejtës ndërkombëtare. Mungesa e një marrëveshje, u dha të drejtë autoriteteve shqiptare në Kosovë që dalëngadalë të përgatisnin shtegun drejt shpalljes së pavarësisë. Ky veprim ishte një veprim i matur mirë nga shqiptarët dhe mbështetur fort nga qendrat e vendosjes ndërkombëtare. Madje, ky ishte një zbatim i përpiktë i planit të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara – Marti Ahtisari.

Kosova u bë shtet i pavarur për shkak të dinamikës dhe rrethanave politike që po diktojnë sistemin ndërkombëtar. Megjithëse shpallja e pavarësisë nuk pati bekimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për shkak të kushtëzimeve nga vetoja ruse, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Unioni Evropian dëshmuan edhe një herë fuqinë dhe rolin që ato pretendojnë ta ruajnë edhe në rendin e ri botëror që po lind, duke i dhënë fund mbetjeve të Versajës në gadishullin problematik.

Edhe pas paralajmërimeve se pavarësia e Kosovës do të prodhojë pakënaqësi, me tendencë të destabilizimit të rajonit, kjo gjë nuk ndodhi. Megjithatë autoritetet e Kosovës nuk duhet të vetëkënaqen nga sasia e njohjeve të bëra. Kosova ka shumë punë për të bërë. Anëtarësimi në organizatat multilaterale do të jetë një sfidë në të ardhmen.

Kosova tashmë është shteti më i ri në botë dhe është shëmbëlltyrë e paqes dhe tolerancës etnike e fetare, duke u bërë model për lindjen e shteteve të reja në rendin e ri botëror.

II

Serbia është treguar shumë kokëfortë lidhur me faktin që duhet të pajtohet me realitetin e ri rajonal. Është në dëm të saj dhe të rajonit një politikë e tillë destruktive e ushqyer me mite antike, nacionalizëm të vazhduar dhe ambicie për hegjemoni. Ajo ka vazhduar padëgjueshmërinë e saj kundrejt faktorit ndërkombëtar i cili përpiqet të hapë një shteg për rrugëtimin e saj drejt strukturave euro-atlantike. Me shumë pakujdesi po vendos gracka në rrugën që duhet të ecë vetë. Strehimi i kriminelëve të luftës, është një veprim jo shumë i pëlqyer nga ndërkombëtarët. Neglizhenca ndaj plotësimit të kushteve si bashkëpunimi i autoriteteve serbe me Gjykatën Ndërkombëtare për krimet e luftës, po zvarrit procesin e implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim me Unionin Evropian, që u lidh në prill të këtij viti në Luksemburg, e që do ishte një faktor shumë i rëndësishëm, i cili do forconte tregun dhe lidhjet e Serbisë me Unionin Evropian.

III

2008-ta, për Shqipërinë dhe Kroacinë ishte shumë i suksesshëm. Ato u pranuan nga aleanca më e fuqishme politiko-ushtarake – NATO dhe pritet që në vitin që vjen ato të bëhen anëtare fuqiplota të kësaj strukture. Shqipëria ka bërë hapa shumë të rëndësishëm në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike, megjithëse akoma çalon në zbatimin e disa reformave të brendshme që do të jenë përcaktuese për një integrim të plotë në strukturat ekonomike, politike e ushtarake. Megjithatë ajo po tregon qasje konstruktive drejt politikave integruese rajonale e më gjerë, duke thelluar dhe intensifikuar marrëdhëniet me fqinjët dhe me aleatët më të fuqishëm si Unioni Evropian dhe SHBA-të. Ajo po kultivon me kujdes rolin e një stabilizuesi të mirëfilltë në marrëdhëniet mes shteteve në rajon.

IV

Shqiptarët si tërësi janë treguar mjaft konstruktivë dhe të paanshëm lidhur me kontestin e emrit të Maqedonisë, e cila ka qenë njëra ndër çështjet më të debatuara gjatë këtij viti, e që ka pezulluar dhe penguar shumë procese të rëndësishme. Ky kontest ka nxjerrë në pah një zinxhir çështjesh të tjera të lidhura me identitetin dhe gjuhën, me ç’rast Maqedoninë po e zhysin në një terren krejtësisht të huaj. Nga ana tjetër, mospërcaktimi i qartë dhe konkret i koncepteve politike po reflekton një pasiguri edhe në marrëdhëniet me fqinjët e saj. Pikërisht ky mosqartësim, në prill të këtij viti, në Bukuresht, i kushtoi me veton greke për anëtarësimin në organizatën më të fuqishme euro-atlantike.

Por nuk është vetëm ky problemi i të gjitha dështimeve të Maqedonisë. Sipas raportit të Unionit Evropian të prezantuar këtë vit, ngecja në reformat e brendshme, mungesa e dialogut politik si mes partive maqedonase ashtu edhe atyre shqiptare dhe zgjedhjet jodemokratike janë disa nga çështjet në të cilat Maqedonia çalon. Është koha e fundit që Maqedonia të vetëdijësohet se e ardhmja e saj është në strukturat euro-atlantike. Ajo duhet të fillojë të punojë me seriozitet për standardet e kërkuara nga autoritetet ndërkombëtare.

V

Megjithëse Riçard Hollbruk u shpreh, që në vitin 1995 në Dejton po groposej një pjesë tjetër të Versajës, rrethanat aktuale flasin për faktin se Bosnja e Hercegovina është një tregim i pasuksesshëm i shtetit multietnik. Në Bosnjë e Hercegovinë gjithnjë e më shumë po thellohen ndarjet. Përpjekjet e saj dhe të autoriteteve ndërkombëtare për ruajtjen e unitarizmit të këtij shteti të brishtë, po bëhën gjithnjë e më të vështira. Kjo ka ardhur si pasojë e tendencave të Republikës Serbe e cila drejtohet nga mentorët në Beograd. Ky implikim i Beogradit ka bërë që reformat e brendshme në Bosnjë dhe Hercegovinë të ngecin, duke filluar që nga kushtetuta, të cilat po e ngadalësojnë tej mase rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.

VI

Mali i Zi një vit më parë u divorcua në mënyrë paqësore nga Serbia. Roli shqiptar në këtë proces ishte dominant. Ky shtet ka përparuar mjaft në demokratizimin e brendshëm duke ecur drejt rrymave perëndimore. Me njohjen që i bëri Kosovës, edhe përkundër kërcënimeve dhe akuzave të autoriteteve serbe se “vëllezërit tanë malazezë na ngulën thikën pas shpine”, Mali i Zi dëshmoi se është përgatitur të harrojë historinë e tij të përbashkët me Serbinë dhe të ecë e pavarur, duke bashkëpunuar për mrekulli me fqinjët e saj drejt integrimeve evropiane. Kjo është një dëshmi se lidershipi malazez ka treguar nje vetëdijësim, që në radhë të parë është i dobishëm për të si shtet i ri, por edhe për fqinjët dhe stabilitetin e rajonit.

VII

Edhe për kundër disa proceseve pozitive në rajonin ballkanik, një praktikë jo e mirë po shfaqet nga disa shtete lidhur me integrimin e rajonit në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Infektimi i shteteve nga fqinjët lidhur me përdorimin e të drejtës së vetos, po bëhet një praktikë e shpeshtë që në radhë të parë dëmton shtetet aspirante për t’u anëtarësuar dhe përfundimisht edhe tërë rajonin ballkanik. Përderisa procesi për disa shtete po ngec për shkak të mospërparimit në reformat e brendshme, konfliktet mes fqinjëve po shndërrohen në pengesë për shtetet anëtare serioze që tashmë kanë plotësuar standardet themelore për t’iu bashkëngjitur këtyre strukturave. Para disa ditëve, Sllovenia i vuri veto anëtarësimit të fqinjit të saj kroat në Unionin Evropian. Kroacia ka dëshmuar se është një anëtar serioz që ka përmbushur gati të gjitha kushtet për anëtarësim në këtë organizatë supranacionale të kontinentit. Andaj me të drejtë presidenti kroat Mesiq shprehet se vetoja sllovene ndaj Kroacisë nuk është një problem bilateral mes dy shteteve,  por problem i Kroacisë me Unionin Evropian. Në qoftë se kjo praktikë do të vazhdojë edhe për shtetet tjera të gadishullit, që sigurisht do jetë e pranishme për shkak të armiqësive tradicionale, atëherë do të duhet ose të kalojë një kohë shumë e gjatë që armiqësitë të harrohen ose do të jetë e nevojshme një reformë e njëmendët në mekanizmin për anëtarësimin e anëtarëve të rinj në Unionin Evropian dhe NATO. Përndryshe një integrim i plotë i rajonit ballkanik në strukturat euro-atlantike do të jetë pothuajse i pamundshëm.

VIII

Në korrik të 2008 një tjetër vatër krize lindi në Gjeorgji. Ambiciet e Gjeorgjisë për integrim në organizatën euro-atlantike NATO lindën me revolucionin Rozë të vitit 2003, ndërsa në Samitin e Bukureshtit u pezulluan nga dy shtete të fuqishme të Unionit Evropian: Gjermania dhe Franca, të cilat ishin të vetëdijshme për qëndrimin rus. Luftimet që filluan në mes dy rajoneve gjeorgjiane Osetia dhe Abkazia dhe forcave të armatosura gjeorgjiane, me ndërhyrjen e trupave ushtarake ruse, u shndërruan në luftë ruso-gjeorgjiane, e cila alarmoi pa masë faktorin ndërkombëtar. Me mdërmjetësimin e UE-së, Gjeorgjia dhe Rusia pranuan planin gjashtë pikësh për ndalimin e luftimeve. Megjithëse pas konfliktit, Federata Ruse, këto dy territore i njohu si shtete të pavarura, duke përdorur sipas saj “precedentin e Kosovës”, ato nuk u njohën si të tilla ndërkombëtarisht. Madje presidenti amerikan këshilloi homologun e tij rus – Medvedev të rishikojë vendimin e tij të papërgjegjshëm i cili është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare publike. Frika për një përplasje ruso-perëndimore e ka bërë këtë konflikt mjaft specifik dhe delikat dhe ka zgjuar frikën e një lufte të ftohtë të re.

IX

Një shtet tjetër evropian solli risi në politikën e saj të jashtme. Që në vitin 1815 Zvicra është një shtet që neutralitetin e vet e ka vënë mbi të gjitha. Megjithëse në të kanë rezidencat organizata të rëndësishme botërore si Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, Organizata Tregtare Botërore, njëra nga dy zyrat evropiane të OKB-së, ajo nuk është bërë kurrë anëtare e organizatës më të madhe evropiane – Unionit Evropian. Mirëpo, si duket ajo po fillon të heqë dorë dalëngadalë nga kjo traditë e saj, ndërsa një pjesë të neutralitetit po e vë në shërbim të vlerave të përbashkëta – atë të lirisë së lëvizjes. Në dhjetor të këtij viti, Zvicra i bashkëngjitet formalisht zonës së lirë kufitare – Shengen duke u bërë shteti i njëzet e pestë që i bashkëngjitet zonës kontinentale të kufijve të hapur, ndërsa Unioni Evropian çdo ditë e më shumë po dëshmon potencialin e tij si një ndër polet e ardhshme udhëheqëse në rendin e ri botëror.

X

Edhe në vitin 2008 SHBA-të ruajtën fuqishëm rolin e tyre udhëheqës në sistemin ndërkombëtar dhe dëshmuan se janë ithtarët më të devotshëm të demokracisë. Zgjedhja për president amerikan të një njeriu me ngjyrë, ishte leksioni i radhës që kjo fuqi i dha botës. Amerika për gjatë kohë kishte qenë vendi ku hendeku mes të bardhëve dhe të zinjve kishte qenë aq i thelluar sa do të ishte e paimagjinueshme për “baballarët e Amerikës” që Obama, një afro-amerikan do ta drejtonte shtetin më të fuqishëm në kohëra shumë delikate. Kurrë më parë, shprehet Madeline Albright, s’ka pasur urrejtje kaq të fortë për Amerikën, dhe e vetmja mënyrë për ta çrrënjosur këtë urrejtje është promovimi i vlerave tona si liria, demokracia, të drejtat e njeriut. Andaj, Obama fitoi se e ndoqi mu këtë rrugë. Opinioni amerikan ishte i lodhur dhe i tronditur nga lufta, andaj vetëm një moto e thjeshtë “Po, ne mundemi” dhe premtimi për ndryshim, i bëri për vete ata. Promovimi i vlerave me të cilat SHBA-të për vite me radhë kanë farkëtuar sisteme ndërkombëtare, dolën sërish fitimtare, ndërsa i shtuan Amerikës krenarinë dhe supremacinë që ajo ka në botë. Për herë të parë dolën kaq shumë njerëz për të votuar, më mirë se kurdoherë tjetër treguan që Amerikë janë shtetet e bashkuara të saj, se dallimi i racave është një histori e shkuar dhe se me ndryshimet që sjell, ajo di të jetë e paparashikueshme. Bashkë me fitoren e Obamas vjen edhe përgjigja lidhur me dyshimin për fuqinë e demokracisë amerikane. Obama kishte arritur të pamundshmen. Kishte fituar për kombin e tij, andaj ai ka para vetes detyra të rëndësishme për të kryer: së pari, ribërjen e kombit të tij; së dyti, të dëshmojë se fuqia e Amerikës nuk vjen nga forca ushtarake dhe ekonomike, por nga fuqia e idealeve të këtij kombi, dhe së treti, të shfrytëzojë shansin për të sjellë ndryshime në politikën e brendshme amerikane dhe atë botërore.

XI

Kriza ekonomike po sjell nevojën e pashmangshme të ribërjes së rendit botëror. Atë që fuqitë gjatë kohë neglizhonin ta pranonin, tani do të duhet t’i nënshtrohen përfundimisht madje duke bartur pasoja. Që në fillim të vitit kur çmimi i naftës kaloi shumën e njëqind dollarëve, tregjet botërore filluan të kenë frikë nga një krizë e mundshme ekonomike globale. Rritja e çmimeve të naftës u ndoq nga rritja e vazhdueshme e çmimit të ushqimeve, kriza e kredive, rritja e shifrave të të papunëve në ekonomitë më të mëdha botërore, duke rezultuar përfundimisht në një recesion global. Kriza ekonomike globale do të jetë faktori përcaktues se kush do të jenë polet udhëheqëse në sistemin e ri ndërkombëtar që po krijohet.

Mbase në forumet globale po diskutohet për mundësinë e humbjes së rolit që ka Amerika, atë të udhëheqësit global, asnjëra nga fuqitë e reja globale si Japonia, Kina apo Unioni Evropian nuk janë të gatshme ta marrin këtë detyrë të vështirë. SHBA me ndryshimin që bëri në strukturën e saj udhëheqëse, duke kombinuar një fytyrë të re me një strukturë tradicionale ekspertësh, do të arrijë që të dëshmojë se ajo edhe për gjatë kohë do të jetë fuqia udhëheqëse e globit, por për këtë ajo ka nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e të gjitha fuqive tjera. Sistemi ndërkombëtar po pëson transformime të papara më parë, prandaj asnjëra nga strukturat paraprake nuk mund të merret si model për strukturën e re që po lind. Në mungesë të një fuqie të re udhëheqëse, SHBA-të do të duhej të vazhdonin të ruajnë vendin e tyre udhëheqës në sistemin e ri multipolar që po lind.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Create a free website or blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: