Njohja e Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi: shikuar nga tre këndvështrime

Shikuar nga perspektiva, njohja e Kosovës nga fqinjët e saj ka impakt në tre dimensione: lokal, rajonal dhe global. Ndaj dhe si i tillë, ky proces u interpretua në mënyra të ndryshme.

 

1. Në konfiguracionin lokal, nga popullata shqiptare kudo që jeton, kjo u trajtua si një gjë e natyrshme e cila kishte kohë që duhej të ndodhte. Kuadri politik i Maqedonisë, ishte dhe mbeti i ndarë në dy blloqe, që tregon se brenda këtij shteti mungon kohezioni i qartë politik duke ngatërruar shpeshherë prioritetet primare me ato dytësore.

“Blloku anti njohjes” së shtetit të Kosovës, me keqardhje deklaronin se ky gjest i Maqedonisë ishte një budallallëk dhe një gabim trashanik, ndërsa udhëheqësit paskan vepruar symbyllur, të ekspozuar vazhdimisht trysnisë së faktorit ndërkombëtar. Opinioni i këtij mentaliteti, i përbërë nga nacionalistë të përbetuar, të njohur për nostalgjinë që akoma ushqejnë për sistemin pararendës, nuk është gjë tjetër përpos një recidivë e sistemit jugosllav. Këtij opusi politik, natyrisht që i ka shërbyer në radhë të parë vetë kushtetuta e Maqedonisë, ngase vetë përfytyrimi i faktit të të qenit maqedonas në një “shtet gjysmë shqiptar” nuk është edhe aq i këndshëm. Në aktin themelor juridik më të lartë të këtij shteti, maqedonasit emërtohen “popull”, ndërsa shqiptarët janë “pjesë e popullit”. (Shih preambulën e Kushtetutës së RM-së).

Në grupin e dytë bënin pjesë të ashtuquajturit maqedonasit e moderuar, të etur për reforma dhe integrim në strukturat euro-atlantike, të bindur se ky është shpëtimi i Maqedonisë. Ata përshëndetën njohjen e fqinjit të tyre dhe u shprehën se ky ishte njëri nga pak veprimet e mençura të udhëheqësve të tyre. Si nënkategori në grupin e dytë mund t’i fusim edhe ata, të cilët edhe pse nuk mbështetnin krijimin e një shteti të dytë shqiptar në Ballkan, kishin arsyet e veta për ta bërë të kundërtën. Hakmarrja ndaj Serbisë për kishën ortodokse, ishte një veprim sipas strategjisë “e mira me të mirë, e keqja me të keq”,  mendojnë këta të fundit. Pavarësisht këtyre opinioneve, pro et contra, vendimi për njohjen e shtetit të Kosovës, i ka shërbyer në radhë të parë vetë Maqedonisë dhe Malit të Zi në dy segmente: së pari, këto dy shtete po forcojnë besimin e partneritetit me vendet e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s; së dyti, duke pasur në konsideratë që brenda këtyre dy shteteve jeton një numër i madh i shqiptarëve, kjo njohje është shprehje e nevojave të brendshme të këtyre dy shteteve. Ky vendim është një kontribut i rëndësishëm për heqjen e iluzionit, duke njohur realitetin e krijuar brenda hapësirës ballkanike.

 

2. Në dimensionin rajonal, njohja e shtetit të Kosovës ishte një impakt i drejtpërdrejtë, duke e shtuar kështu numrin në vargun e shteteve demokratike që kultivojnë vlera afirmative botërore. Shkëputja e këtyre shteteve nga politikat destruktive në Ballkan, edhe një herë dëshmoi se Ballkani, me përjashtim të Serbisë, po rreshtohet përkrah aleatit më të fuqishëm – SHBA-ve dhe Euro-atlantizmit, ndërsa roli tradicional rus kundrejt Ballkanit, dalëngadalë po humb kuptimin e vet.

Domosdo që nga qeveria e Serbisë pati reagime të ashpra dhe nga më të ndryshmet. Ministri i punëve të jashtme Jeremiq, për njohjet e fundit u shpreh se janë veprime skandaloze. Sipas tij, pas votimit të rezolutës serbe për shqyrtim të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, njohja post festum konsiderohet nga ai si “çmenduri, ndërsa  në këtë mënyrë veprojnë vetëm shtete shumë të pamatura”. Ky qëndrim i qeverisë së Beogradit, e ashtuquajtur “demokratike dhe properëndimore”, është një tentativë për të bllokuar çdo bashkëpunim që i shërben stabilitetit të rajonit. Retorika e saj si “properëndimore” dhe veprimataria e saj për të bllokuar çdo nismë ballkanike që lidhet me bashkëpunimin rajonal, bien në kundërshtim me njëra-tjetrën. Serbia duhet ta kuptojë që sistemi bipolar i marrëdhënieve ndërkombëtare ka kohë që ka përfunduar. Pretendimi i Serbisë që të ndërtojë një të ardhme evropiane nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, mohimi i të drejtave të të tjerëve në rajon, duke sulmuar drejtpërdrejt  politikat e BE-së, janë dy koncepte që nuk shkojnë pranë njëra-tjetrës. Tani më, është vertetuar katërcipërisht se Qeveria e Beogradit është sponzorizuesja kryesore e destabilitetit në rajon, duke filluar që nga djegiet e ambasadave të shteteve perëndimore, sulmet në veriun e Kosovës dhe së fundi edhe dhuna e shkaktuar në Mal të Zi.

Megjithatë, vendimi për njohje të një shteti nga një shtet tjetër është e drejtë ekskluzive e shtetit si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Prandaj dhe njohja e Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi në këtë periudhë,  janë të një rëndësie të veçantë. Me këto njohje po përmblidhet opusi i njohjeve të shteteve të dala nga ish federata e Jugosllavisë, gjë që do të japë impakt të drejtpërdrejtë te vendet e rajonit të cilat kanë hezituar ta njohin realitetin e krijuar në Kosovë. Me këtë akt, Kosova po rrethohet nga shtete që e pranojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, duke rrëzuar tezën se pavarësia e saj do të sjellë destabilitet për rajonin.

Vendimi i këtyre dy qeverive është një garanci se në rajonin ballkanik po instalohet logjika e bashkëpunimit të mirëfilltë, duke braktisur kështu logjikën dhe mentalitetin  e dhunës si mjet për të arritur qëllimet politike.

 

3. Në kontekstin global, këto dy njohje kanë dhënë impakt të rëndësishëm, duke dëshmuar se pavarësia e Kosovës është një proces legal, ndërsa pranimi nga vendet e tjera botërore mund të vazhdojë. Ky vendim domosdo do të ketë ndikimin e vetë edhe te  Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për ta shqyrtuar rastin e Kosovës në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Këto njohje do të ndikojnë te kjo Gjykatë duke argumentuar se njohjet vazhdojnë edhe pas rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme, që do të arsyetonte faktin se me rastin e Kosovës nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare. Natyrisht, parimisht juridiksioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është fakultativ, ndaj dhe çdo vendim i saj do të këtë efekt shumë anësor rreth pavarësisë së Kosovës. Kur jemi te kjo gjykatë është e domosdoshme të theksohet se Serbia në radhë të parë duhet t’i kryejë disa nga obligimet që ka ndaj këtij institucioni, i cili e ka shpallur atë, si shtetin e vetëm të Evropës pas luftës së dytë botërore, përgjegjëse për mospengimin e gjenocidit në hapësirën e ish Jugosllavisë. Mosrespektimi i kësaj gjykate kur bëhet fjalë për gjenocidin e shkaktuar nga ajo dhe kërkesa për këshilla në rastin e Kosovës te po e njëjta gjykatë, janë dy gjëra që nuk shkojnë së bashku. Prandaj edhe pjesa dërrmuese e shteteve që kanë përkrahur këtë rezolutë, janë shtete në zhvillim, të cilat nuk njihen si shtete që kanë të zhvilluar demokracinë e brendshme dhe që i trajtojnë të drejtat e njeriut sipas konventave ndërkombëtare. Rirreshtimi i Serbisë në bllokun e këtyre shteteve dhe “fitorja” e saj në Asamblenë e Përgjithshme i ngjanë një fluske sapuni, që s’i bën dot ballë dinamikës së zhvillimeve politike në qendrat e vendosjes ndërkombëtare.

Çdo shqyrtim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk mund të anashkalojë kontekstin historik në të cilin ka kaluar procesi i shtetformimit të Kosovës. Serbia po tenton që përmes ngritjes së akuzës, duke e quajtur këtë një proces secesionist, të pretendojë që me rastin e Kosovës është bastarduar e drejta ndërkombëtare. Po t’i referohemi kësaj të drejte, me të gjitha konventat është i ndaluar aneksimi i territorit, ndërsa Kosova ka qenë pjesë e aneksuar që nga viti 1912. Pak para Konferencës së Hagës të vitit 1991, e cila merret me shpërbërjen e Jugosllavisë, Kosovës iu kishte marrë e drejta e të qenurit njësi administrative e Jugosllavisë. Komisioni i Badinterit nuk e kishte marrë për bazë këtë fakt, ndaj dhe ishte nisur nga gjendja faktike në terren, duke ia mohuar Kosovës të drejtën e vetëvendosjes dhe të qenurit e barabartë me republikat tjera. Megjithatë, procesi i Kosovës sa i përket pavarësisë së saj, ka një kohezion historik dhe politik, që fillon që nga Grupi i Kontaktit, lufta e armatosur, rezolutat e Këshillit të Sigurimit e deri te treshja ndërkombëtare. Të gjitha këto procese flasin në favor të ligjshmërisë dhe mosshkeljes të së drejtës ndërkombëtare. Ndaj dhe Gjykata Ndërkombëtare, në analizë të fundit ka për ta mbajtur një qëndrim neutral.

Serbia e ka humbur të drejtën për të pretenduar rolin e mbrojtëses të së drejtës ndërkombëtare, meqë ka një shekull që në mënyrë sistematike e ka shkelur vetë këtë të drejtë. Prandaj, do apo s’do ta pranojë dikush, pavarësia e Kosovës është një fait accompli, ndërsa përpjekjet e Beogradit për një kontroll mbi njohjen e Kosovës nga shtetet e ndryshme, janë shprehje e ambicies së saj për hegjemoni në rajon.

 

*Shkrimi është botuar më 18 tetor 2008 në të përditshmen “Lajm”.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: