Del Ponte, njolla e drejtësisë ndërkombëtare

del ponte

Procesi gjyqësor i Tribinalit të Hagës dëshmoi edhe një herë që shqiptarët jo vetëm tani, por edhe në të kaluarën e tyre historike, nuk i kanë rënë në qafë askujt. Përkundrazi populli shqiptar nëpër të gjitha etapat e historisë ka qenë viktimë e agresorëve të ndryshëm, duke u bërë herë plaçkë tregu e herë objekt shfryerje të ndjenjave fashizoide të fqinjëve të tij. Tentativat për t’i vendosur në një nivel viktimën dhe kriminielin, përmes akuzave të paqëndrueshme, të pabaza, dëshmuan edhe përfundimin e këtij procesi, duke vërtetuar se ishte një aktpadi e ngritur kryesisht për motive politike të ndikuara nga konjuktura të caktuara shtetërore të cilat trupin e kanë në Evropë ndërsa mendjen në Azi. Edhe përkundër asaj që prokuroria në cilësinë e dëshmitarëve të saj solli për të dëshmuar kriminelë nga të gjitha llojet, kurrë nuk arriti t’i vërtetojë dhe t’i materializojë ato akuza kundër pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës. Akuzat e kryeprokurores Del Ponte, me të drejtë i hodhi poshtë trupi gjykues duke vërtetuar edhe njëherë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës përgjatë gjithë veprimtarisë së saj, nuk ishte përfshirë as në krime lufte dhe as në krime kundër njerëzimit.

Pikërisht në fund të këtij procesi, Karla Del Ponte, duke e parë betejën e saj të humbur, vendosi të publikojë librin e saj skandaloz “Gjahu, unë dhe kriminelët e luftës”. Duke e ditur rolin e saj, fillimisht në organin e akuzës, pastaj në diplomaci, ky libër ka për qëllim diskreditimin, kjo shihet në tre dimensione:

– Së pari, libri diskreditoi skajshmërisht vetë organin e akuzës duke i marrë për bazë shpifjet e agjenturave sllave kundër shqiptarëve;

– Së dyti, duke e pasur parasysh emërimin e saj si ambasadore në Argjentinë, Karla Del Ponte është duke bërë përpjekje ta diskreditojë edhe diplomacinë zvicerane, diplomaci e cila është dëshmuar si kontributore shumë e rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, sidomos në procesin e Kosovës;

– Së treti, Karla Del Ponte, përmes këtij botimi po tenton që ta diskreditojë popullin shqiptar në tërësi, duke i paraqitur edhe si kanibalë.

Duke u nisur nga këto dimensione, ish kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, jo vetëm që nuk i arrestoi, por ua bëri edhe më komode jetën kriminelëve të luftës, duke hyrë në pazarllëqe të ndryshme me ta si dhe me zyrtarë të lartë në Beograd. Vetë Del Ponte, në shtypin ditor ndërkombëtar deklaron se si kishte hyrë në pazarllëqe për rastin e Biljana Pllavshiqit, Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Malladiqit, si dhe në pazarllëqet me ministrin serb Goran Svilanoviq për fshehjen e fakteve të cilat dëshmonin krimin dhe gjenocidin e ushtruar nga strukturat shtetërore serbe në rastin e Bosnjës. Mund të thuhet se Del Ponte në këtë lojë luajti rolin vendimtar për hedhjen poshtë të aktpadisë nga Bosnja kundër Serbisë, e akuzuar për gjenocid ndaj civilëve të pafajshëm. Në këtë pazarllëk të ndyrë, Svilanoviq i kishte premtuar Del Pontes arrestimin e Karaxhiqit dhe të Mlladiqit, gjë që nuk ndodhi kurrë. Vetë hyrja në këtë veprimtari diskredituese tregon se kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte, ka qenë shkelësja numër një e ligjeve të kësaj gjykate, duke anashkaluar drejtësinë për të hyrë në veprime kontrabanduese. Kontrabanda e saj duke abuzuar me detyrën që kishte, përmes zvarritjeve të procesit gjyqësor, i mundësoi kryekriminelit Millosheviq, të mos i shqiptohet verdikti. Falë këtyre zvarritjeve ai nuk u dënua kurrë.

Abuzimet e Karla Del Pontes nuk përfundojnë me kaq. Tani më dihet se Tribunali i Hagës po e përfundon mandatin e tij. Asnjë serb nuk është dënuar për krimet e bëra ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Në vend të kësaj, Del Ponte ngriti akuza të sajuara kundër shqiptarëve, të cilët me sakrificën e tyre i mbijetuan një gjenocodi i cili mund të krahasohet vetëm me atë të holokaustit. Në këtë kuadër, Del Ponte e ndikuar nga strukturat e shtetit serb, nuk di se ku i fillojnë shpifjet dhe ku i mbarojnë gënjeshtrat, të shkruara në një libër që sot në Moskë dhe Beograd, është bërë objekt kryesor i citimeve.

Shpifjet e saj skandaloze, kinse pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1999 paskan rrëmbyer rreth 300 serbë, të cilët i paskan dërguar në Burrel të Shqipërisë për t’ua kontrabanduar organet e brendshme, përmes Turqisë drejt vendeve arabe, janë abuzimi më i madh që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e njerëzimit duke tentuar t’i ngatërrojë rolet dhe aktorët. Karla Del Ponte, këtë teatër e di më mirë se të gjithë, ajo më mirë se çdokush tjetër e di se kush janë ata që bënë eksperimente me rininë shqiptare para dhe gjatë luftës. Ajo disponon me dëshmi të shumta pikërisht nga ata që i kanë kryer krimet, sidomos gjatë bombardimeve të NATO-s, kur në spitalin e Prishtinës i kanë futur me dhjetëra qytetarë shqiptarë dhe nga aty nuk kanë dalë më kurrë. Gjurmët e tyre nuk gjenden edhe sot. Është e pamundshme të mos përmendim këtu se Del Ponte është në dijeni se çfarë iu ka ndodhur shqiptarëve në objektin e Akademisë Ushtarake Serbe, ku shqiptarët ishin shndërruar në objekt eksperimental, mu si në kampet e Aushvizit, me ç’rast trupat e tyre përfunduan në shkritoret e Trepçës. Është dy herë krim në qoftë se tentohet të fshihet krimi. Del Ponte pretendon që t’i fshehë krimet që tronditën botën e qytetëruar, ku ndër të tjera u zbuluan mbi 1000 kufoma në varrezat masive në zemër të Beogradit, në Batajnicë dhe Petrovo Sello. Apo, të kujt ishin kufomat në kamionat frigoriferë në ujërat e Danubit? Kush vallë bëri një sërë masakrash në të gjithë territorin e Kosovës?  Del Ponte shkoi edhe më larg, duke amnestuar kriminelin Bozhidar Deliq, në shkëmbim të dëshmive të rrejshme kundër pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilin në vitin 2006 e ktheu në vendin e krimit – në Krushë të Vogël, në cilësinë e viktimës. Ai i cili kishte qenë pjesë e ekspeditës famëkeqe që masakroi dhe zhduku mbi 100 burra, gra dhe femijë në këtë fshat. Tragjedia e pazarllëqeve të Karla Del Pontes është se ajo injoroi dëshmitë e krimeve të bëra nga forcat shtetërore serbe mbi popullsinë shqiptare me ç’rast asnjë nga kriminelët serbë nuk u përfshi në aktpadinë e saj për krimet e bëra në Kosovë. Ajo, në vend që të dënonte strukturat shtetërore serbe, ngriti akuza të sajuara kundër pjesëtarëve të UÇK-së. Këto padrejtësi të Karla Del Ponte-s nuk mund të mbulohen duke tentuar që t’u hidhet hi syve të opinionit ndërkombëtar, në llogari të shqiptarëve. Ajo duhet përgjigjet para organit të akuzës për bashkëpunim dhe marrëveshje interne me organet shtetërore serbe duke i shkaktuar dëme jo vetëm viktimave, por edhe tërë popullit shqiptar. Si e tillë ajo duhet të ndiqet penalisht si dëmtuese dhe njollosëse e drejtësisë ndërkombëtare.

* Shkrimi është në bashkëautorësi me Fatmir Arifi-n dhe është botuar në të përditshen “Koha” në prill 2008.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

%d bloggers like this: